Lajme Shqip Thursday, 01 September 2011 14:59

Tiranë – Kryeministri, Sali Berisha, ripërsëriti sot thirrjen drejtuar historianëve të vendit që, siç tha ai, të hapin arkivat dhe t’ua thonë shqiptarëve historinë ashtu siç është.

Gjatë një ekspozite me koleksione mbretërore, të Adamidi Frashërit, patriot dhe diplomat shqiptarë, në kuadër të 83 vjetorit të monarkisë shqiptare, Berisha vlerësoi figurën e mbretit Zog dhe përpjekjet e tij për kombin dhe vendin, ndërsa kërkoi  rishikimin e historisë, ashtu siç është, pasi sipas tij, “ajo mbetet ende larg të vërtetës”.

“Zogu u përball me racizmat e egra antishqiptare, por me një diplomaci të lartë bëri gjithçka për të konsoliduar pozitën politike të shtetit të ri shqiptar. Mbreti, oborri dhe mbështetësit e tij, vazhduan përpjekjet e tyre të gjithanshme për Shqipërinë, Kosovën, kombin dhe historia vazhdon të jetë e keqe për shqiptarët, ajo nuk u ka thënë shqiptarëve akoma të vërtetat e tyre”, nënvizoi kreu i ekzekutivit.

Duke kërkuar ridimensionimin e kësaj figure shumë të rëndësishme në historinë e vendit, shefi i qeverisë e konsideroi 83-vjetorin e Mbretërisë Shqiptare si “një ngjarje të madhe pa të cilën nuk do kishte Shqipëri të pavarur dhe ekzistenca e kombit do ishte vënë në këcënimin dhe rrezikun më të madh në historinë e tij”.

“Unë u bëj thirrje historianëve të vendit të hapin arkivat dhe tu thonë shqiptarëve të vërtetat ashtu si janë. Historia duhet të flasë me të vërtetat si janë dhe kjo do ndihmojë shqiptarët të njohin më mirë veten e tyre, të jenë vetja dhe të shohin më qartë drejt të ardhmes”, përfundoi kryeministri Sali Berisha.