Lajme Shqip Wednesday, 09 November 2011 19:59

Tetovë – Shefi i qeverisë shqiptare Sali Berisha është pritur nga një turme e madhë personash në mbërritjen e tij në Tetovë të cilët kanë shfaqur entuziazëm të theksuar gjatë takimit me Berishën i cili vendoi edhe plisin në kokë si shenjë afërise ndaj tyre.

Më pas kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha, i cili qëndron për vizitë zyrtare në Maqedoni, pasdite në Tetovë u takua me kryetarin e komunës Sadi Bexheti.

Pas takimit, Berisha deklaroi se Tetova është qytet me vlera të larta kombëtare në të cilin ekziston bashkëjetesë dhe bashkëpunim midis qytetarëve.

“Dëshiroj ta shprehi respektin tim ndaj qytetarëve të cilët me punën e tyre, përkushtimin, guximin dhe angazhimin për liri e bënë Tetovën qytet të lirë me vlera të larta kombëtare, në të cilin ekziston bashkëjetesë dhe bashkëpunim midis banorëve. Tetova është edhe qyteti i tretë i shqiptarëve me dy universitete që është një prej arritjeve tona më të mëdha”, theksoi Berisha pas takimit me kryetarin e komunës Bexheti.

Ai shtoi se duhet të hapen hapësira të reja të bashkëpunimit dhe se do të bëjnë gjithçka që kjo të realizohet posaçërisht me intervenime në infrastrukturën rrugore dhe hekurudhore.

Kryeministri shqiptar u takua edhe me udhëheqësitë  e Universitetit Shtetëror të Tetovës dhe Universitetit të Evropës Juglindore. Në Universitetin e EJL-së para studentëve mbajti ligjërim kushtuar çështjeve rreth Ballkanit dhe integrimeve euroatlantike.

Berisha mori edhe çmimin vjetor për Lidership për vitin 2009 që iu nda nga ana e Institutit për demokraci dhe zhvillim.