Lajme Shqip Saturday, 10 December 2011 14:33

Tiranë- “Integrimi europian përbën objektivin madhor të qeverisë shqiptare, e cila është e gatshme për të ndërmarrë të gjitha reformat dhe masat e nevojshme në këtë drejtim”, tha Kryeministri Sali Berisha, gjatë një takimi në Francë me homologun francez, Francois Fillon.

Sipas zyrës së shtypit pranë kryeministrisë, në ditën e fundit të vizitës së tij në Francë, Kryeministri Berisha u prit në një takim nga Kryeministri i Francës, Francois Fillon.

Kryeministri Fillon shprehu kënaqësinë për takimin jo vetëm në kuadër të PPE-së, por edhe në kuadër të marrëdhënieve bilaterale mes Francës dhe Shqipërisë. Ai i cilësoi marrëdhëniet politike mes të dy vendeve si shumë të mira. Në vijim, ai shprehu interes për fushat e bashkëpunimit me interes dypalësh.

Kryeministri Berisha e njohu homologun francez me reformat e ndërmarra nga qeveria shqiptare dhe rezultatet e tyre, si dhe programin e investimeve që ajo ka ndërmarre me qëllim modernizimin dhe zhvillimin e vendit.

Berisha theksoi disa histori suksesi të investimeve madhore franceze si kompanitë Sagem në prodhimin e dokumenteve biometrike të identitetit, Eurocopter, Societe General, Credit Agricole dhe së fundmi Carrefour, që janë shembull për investime të mëtejshme.

Të dy kryeministrat u ndalën tek energjia e rinovueshme, projektet për transportin publik në Tiranë, modernizimi i administratës publike, projektet në bujqësi dhe pastrimi i ujërave si fusha me interes për investime apo ku Franca mund të ofrojë ekspertizë dhe asistencë.

Kryeministri Berisha e njohu homologun e tij edhe me zhvillimet politike në vend. Ai theksoi se, pas dy vjet bllokimi të jetës politike nga opozita, që dëmtoi interesat e vendit, ajo pranoi ofertat politike të bëra nga mazhoranca dhe tashmë situata politike dhe jeta parlamentare janë normalizuar.

“Kanë filluar të zbatohen një sërë reformash me rëndësi për procesin e integrimit europian, përfshirë atë zgjedhore dhe miratimin e ligjeve me shumicë të cilësuar”, tha Berisha.

Në takim u bisedua edhe për situatën në veriun e Kosovës dhe atë në rajon. Kryeministri Berisha theksoi se ruajtja e kufijve aktualë dhe fokusimi tek integrimi europian janë vitale për paqen, stabilitetin dhe prosperitetin e rajonit.

Në përfundim, Kryeministri Berisha e ftoi Kryeministrin Fillon që të vizitojë Shqipërinë, ftesë që u mirëprit me kënaqësi.