Lajme Shqip Tuesday, 06 September 2011 17:47

Kryeministri Sali Berisha priti sot një delegacion austriak të përbërë nga anëtarë të Parlamentit austriak dhe të kryesuar nga Werner Amon, zv/kryetar i Grupit parlamentar të Partisë Popullore Austriake.

Qëllimi i vizitës së këtij delegacioni, në përbërje të të cilit ishte edhe kreu i Grupit të Miqësisë në Parlamentin austriak, wolfgang Grossruk , është për të prekur nga afër realitetin me zhvillimet e fundit, si dhe për të njohur vendin dhe historinë e tij.

Kreu i ekzekutivit i falënderoi miqtë austriakë për mbështetjen e vazhdueshme dhe për ndihmën shumë të çmuar që Austria i ka dhënë në vijimësi Shqipërisë gjatë dy dekadave të fundit. Gjatë këtij takimi, Berisha i njohu miqtë austriakë me reformat ekonomike, financiare, ne luftën kundër korrupsionit, në fushën e arsimit, reformat sociale etj.

Ai shprehu mirënjohjen për një sërë projektesh të rëndësishme të realizuara me ndihmën e qeverisë austriake, siç ishte projekti i regjistrit elektronik të gjendjes civile të shtetasve, që bëri të mundur që zgjedhjet në Shqipëri të zhvillohen me një infrastrukturë zgjedhore nga më modernet në Evropë. Projekte të tjera të rëndësishme në bashkëpunim me qeverinë austriake janë edhe projekti i regjistrit të tokës, e-tax, e-health, etj.

Ndërsa anëtarët e delegacionit austriak e falënderuan Kryeministrin për pritjen dhe i shprehën atij vlerësimin për transformimin impresionues që ka ndodhur në Shqipëri gjatë kësaj periudhe, si dhe e përgëzuan për suksesin e reformave dhe arritjet e rëndësishme të qeverisë Berisha gjatë këtyre viteve.

Ata siguruan se do të jenë një zë shumë i fuqishëm për promovimin e Shqipërisë dhe imazhit të saj në Austri, në drejtim të nxitjes së investitorëve austriakë për të eksploruar mundësitë e mëdha që ofron ekonomia shqiptare. Gjithashtu, ata theksuan se Austria do të vazhdojë të jetë një mbështetëse e fuqishme e rrugëtimit të Shqipërisë drejt anëtarësimit te plotë e të shpejtë në Bashkimin Evropian, duke nënvizuar se Shqipëria është pa dyshim pjesë e Evropës.

Në takim u ripohua angazhimi dhe vendosmëria e të dy vendeve për të thelluar, zgjeruar dhe konsoliduar bashkëpunimin në të gjitha fushat, si dhe u vlerësua kontributi i Austrisë dhe investitorëve austriakë në Shqipëri, të cilët janë provuar si një histori suksesi e këtyre investimeve në vendin tonë në shumë fusha si ajo bankare, turizmit, infrastrukturës, veprave të mëdha energjetike, arsimin etj, duke e renditur Austrinë si një nga 3 vendet kryesore për sa i përket investimeve të huaja në Shqipëri.