Lajme Shqip Saturday, 18 February 2012 12:30

Korçë – Kryeministri Sali Berisha dhe ministri i Financave, Ridvan Bode, kanë zhvilluar të shtunën paradite një takim me shtabin e emergjencave në qarkun e Korçës.

Gjatë takimit, kryeministri Berisha ka vlerësuar punën e mirë që është bërë në këtë qark në kushtet e motit me reshje dëbore dhe temperatura të ulta, duke theksuar se ky qark është një model në përballimin e situatës së krijuar. Ai tha se dimri i këtij viti nuk është parë që nga viti 1985, ndërkohë që firmat e kontraktuara i kanë përmbushur detyrimet, por, theksoi ai, “akset kryesore të rrugëve do t’i hapë qeveria”. Berisha vuri në dukje se fondi i caktuar për hapjen e rrugëve është i mjaftueshëm, por duhet të angazhohet edhe komuniteti në këtë drejtim.

Kryeministri Berisha theksoi se në këtë qark janë shpërndarë ndihma ushqimore dhe medikamente për familjet në nevojë të bllokuara nga reshjet e dëborës, ndërsa vuri në dukje se “jemi duke e ndjekur situatën në vazhdimësi për të shpëtuar jetë njerëzish”.