Lajme Shqip Thursday, 31 March 2011 17:14

Tiranë – Kryeministri Sali Berisha priti sot zv/kryeministren e Kosovës, Edita Tahiri, e cila është dhe kryetare e delegacionit kosovar, që merr pjesë në bisedimet mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë, i cili diskuton për çështjet teknike të bashkëpunimit, në Bruksel.

Sipas një njoftimi për shtyp, Kryeministri Berisha shprehu vlerësimin për paraqitjen shumë të mirë  të delegacionit kosovar në këto bisedime, të cilat do të sjellin një kontribut të rëndësishëm në jetën e përditshme të qytetarëve të dy vendeve, por dhe në forcimin e bashkëpunimit mes këtyre dy vendeve dhe atij rajonal.

Zv/kryeministrja Tahiri e informoi Kryeministrin Berisha mbi zhvillimin e bisedimeve dhe qëndrimin e delegacionit të Republikës së Kosovës në këto bisedime.

Në takim u rikonfirmua qëndrimi i prerë dhe pa ekuivok se këto janë vetëm bisedime teknike, që kanë të bëjnë me çështje të jetes së përditshme së qytetarëve të këtyre dy vendeve, të pavarura e sovrane, përkatësisht Republikës së Kosovës dhe Serbisë dhe nuk bëhet fjalë, në asnjë rast, për çështje që kanë të bëjnë me sovranitetin apo ndryshim të kufijve.

Në këtë kontekst, u theksua se ekzistojnë shumë Mitrovica në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe çdo lloj aludimi apo ideje për rikonfigurim të kufijve ndërkombëtare nuk i shërben stabilitetit, sigurisë dhe paqes në rajon.

Në takim u shpreh edhe njëherë mirënjohja për SHBA-të dhe BE, për mbështetjen që po i japin këtyre bisedimeve teknike, si dhe u vlerësua fakti që sot Kosova është jo vetëm një ndër vendet më të sigurta, me treguesit ndër më të ulët të kriminalitetit në rajon dhe në Evropë, por është shndërruar qartësisht, në një faktor të rëndësishëm paqeje, stabiliteti, sigurie dhe promovimi të bashkëpunimit dhe të miqësisë në rajon.

Gjatë këtij takimi, zv/kryeministrja Tahiri vlerësoi kontributin e jashtëzakonshëm të Kryeministrit Berisha në mbështetje të çështjes kombëtare dhe në veçanti në mbështetje të shtetit më të ri të Evropës, të Republikës së Kosovës, për sa i përket njohjes ndërkombëtare të saj, por edhe për sa i përket konsolidimit të vendit dhe rolit të saj, si në forumet e bashkëpunimit rajonal, ashtu edhe në aspiratat  e Republikës së Kosovës për integrimin euroatlantik.