Lajme Shqip Friday, 02 March 2012 12:04

Bruksel-Kryeministri Berisha mori pjesë dje, në Samitin e Partive Popullore Evropiane (PPE). Pas punimeve të samitit, Kryeministri Berisha në një prononcim për mediat shqiptare, tha se “ishte një samit që iu përkushtua kryesisht problemit të rritjes ekonomike. Por edhe nga Brukseli, kryeministri Berisha nuk ka kursyer akuzat ndaj opozitës shqiptare që sipas tij është e vetmja pengesë për reformat në vend.       

“Unë e kam theksuar dhe e theksoj se absolutisht nuk ka asnjë pengesë përveç faktit se opozita shqiptare bllokoi për dy vite më radhë votimin e reformave evropiane dhe, unë këtë e kam theksuar dhe e theksoj; nuk mund t’i kërkoj kërkujt që të mbështesë statusin për Shqipërinë në një kohë kur partia kryesore opozitare, në një rast unik në Evropë, nuk voton reformat e drejta të kërkuara për procesin e afrimit të mëtejshëm me Bashkimin Evropian. Ata që e konceptuan  dhe e konceptojnë bllokimin si një mjet për të dëmtuar qeverinë dhe që dëmtojnë vendin e tyre, ata natyrisht do të kenë të gjitha përgjegjësitë para shqiptarëve”-tha Berisha.

Kryeministri Berisha vuri në dukje se reforma zgjedhore si kushti kryesor për marrjen e statusit, mund të plotësohet para qershorit. “Absolutisht mund të plotësohet. Mund t’u them se me vullnet të përbashkët mund të bëhet edhe për 4 deri 6 javë, sepse ne kemi bërë të gjitha lëshimet  e duhura. A e dini ju që për adresimin e rekomandimeve të ODIHR ne i kemi njohur PS-së pothuajse ekskluzivitetin e paraqitjes së amendamenteve. Natyrisht, tryezë nuk do të thotë diktat, do të thotë arsyetim dhe mirëkuptim. Ky proces nuk ka asnjë vështirësi sepse rekomandimet janë të qarta. Në rast se dikush, për ta bllokuar atë sjell gjëra që nuk janë rekomanduar kurrë, apo e militarizon siç e keni marrë vesh dhe ju. Kur e thashë këtë këtu, u çuditën. Kanë kërkuar dënime me 8 vjet për komisionarët. Gjëra të tilla dalin jashtë çdo lloj logjike demokratike. Por megjithatë ne mbetemi të vendosur, të hapur, të punojmë me intensitet, me besim të plotë, me institucionet ndërkombëtare,  për ta kompletuar atë sa më shpejtë”, tha Berisha.

Kryeministri Berisha tha se ne jemi të prirur të punojmë intensivisht për kompletimin e reformës zgjedhore. “ODIHR dhe Komisioni i Venecias kanë kontraktuar ekspertët më të mirë të Evropës dhe botës për zgjedhjet, pra që janë të njohur në gjithë botën. Nuk ka çfarë pengese të ketë këtu. Ne kemi garanci të plotë që këta ekspertë do t’u përmbahen standardeve”, tha Berisha.

Kryeministri Berisha shprehu bindjen se të gjitha reformat, përveç praktikës së bllokimit, nuk kanë asnjë vështirësi. “Ekziston e gjithë ekspertiza, ekziston e gjithë ndihma, ekziston gjithçka për të proceduar me seriozitetin më të madh. Unë që loboj për avancimin e Kosovës, nuk mund të them që të avancojë Shqipëria pa realizimin e reformave, sepse reformat janë të domosdoshme”, vuri në dukje Kryeministri. (LajmeShqip.com)