Lajme Shqip Tuesday, 17 April 2012 19:21

Tiranë -Kryeministri Sali Berisha dënoi sot, tensionet e fundit në Maqedoni, ndërsa kërkoi që ato të mos bëhen shkas për të nxitur konflikte ndëretnike.

“Sipas të gjitha informacioneve, autoritetet maqedonase kanë bërë dhe po bëjnë të gjitha përpjekjet për zbatimin e ligjit. Ne kemi kontakte me autoritetet dhe forcat politike. Veprim i shëmtuar është vrasja e peshkatarëve, por e shëmtuar dhe e papranueshme është edhe projeksioni në akuza kolektive. Autorët duhen gjetur dhe vendosur para drejtësisë. Këtu nuk ka asnjë qëndrim tjetër. Natyrisht, është absolutisht në të kundërtën e interesit të shumicës që këto incidente të bëhen shkas për të nxitur konfliktualitet të marrëdhënieve ndëretnike. Paqja dhe stabiliteti i Maqedonisë është interes jetik i shqiptarëve”, tha Berisha.

Ndërsa duke folur mbi situatën në veri të Kosovës, Kryeministri theksoi se, ngjarjet atje janë rikthim në kohën e Millosheviçit. “Pamja e dy policëve të lidhur e të shtrirë si armiq dhe një akt terrorist ndaj një qytetari dhe familjes së tij, janë rikthim në modelin e Millosheviçit”, tha Berisha.

“Në Serbi ka një periudhë elektorale, por kjo nuk mund të justifikojë këto qëndrime ndaj dhe uroj e shpresoj që marrëveshja e arritur në Bruksel të zbatohet në interesin më të mirë të Prishtinës dhe Beogradit. Vlerësoj faktin se Beogradi hoqi dorë nga zgjedhjet lokale në veriun e Mitrovicës”, theksoi Berisha.

Kryeministri shtoi se komunat shqiptare në Preshevë, Bujanovc dhe Medvegje meritojnë të kenë një mbështetje mjaft të madhe nga qeveria shqiptare në interes të zhvillimit të tyre. (LajmeShqip.com)