Lajme Shqip Thursday, 03 November 2011 11:58

Kryeministri Berisha ka deklaruar gjatë ditës së sotme se Shqipëria synon që të rikthehet në një superfuqi rajonale për energjinë e rinovueshme.

“Shqipëria i ka të gjitha mundësitë për t’u bërë një superfuqi e vogël energjetike në Europë, duke përdorur burimet e saj të energjisë së rinovueshme” u shpreh kryeministri Berisha në një konferencë me temë “Pasuritë Hidrike”.

Ai ka vazhduar më tej, duke thënë se, “ne i kemi të gjitha mundësitë të bëhemi një vend me 100 për qind prodhim energjie të rinovueshme dhe eksportues i saj. Ne i kemi të gjitha potencialet të jemi një superfuqi e vogël e kësaj energjie në rajon. Jemi të vendosur të bëjmë gjithçka, të ecim në këtë rrugë, pasi rezervat ujore të vendit janë shfrytëzuar vetëm më pak se 1/3 ndërsa 2/3 presin të shfytëzohen”.

Berisha shprehu angazhimin e qeverisë edhe për shfrytëzimin e erës dhe energjisë diellore: “Qeveria është e angazhuar në ripërtëritjen e infrastrukturës së vendit, por sapo të krijohet mundësia e fondit të energjisë jeshile, do të bëjmë gjithçka. Shqipëria ka platforma ere të jashtëzakonshme. Ne jemi të vendosur të inkurajojmë edhe këtë burim energjie. Ne mbetemi të hapur për energjinë solare dhe e inkurajojmë edhe atë. Jemi në negociata me kompanitë më të mëdha edhe për energjinë gjeotermike”