Lajme Shqip Saturday, 12 November 2011 09:40

Tiranë – Kryeministri Sali Berisha mori pjesë mbrëmjen e djeshme  në pritjen e organizuar në Pallatin e Brigadave nga organizata Presidentët e Rinj të Kompanive (YPO), përfaqësuesit e të cilës operojnë në fushën e biznesit, financave, etj.  Anëtarët e kësaj organizate  ndodhen në Tiranë me rastin e mbajtjes së aktivitetit të radhës të Kapitulli  “Evropa e Madhe”  nga data 10 – 13 Nëntor.  Kapitulli “Evropa e Madhe”  ka në përbërje anëtarë nga më shumë se 22 shtete.

Në fjalën e tij, Berisha bëri të ditur iniciativat e qeverisë shqiptare për ta bërë vendin tonë sa më miqësor ndaj investitorëve. “Vendi është i vogël në hartë, por kur e shikoni në brendësi gjeni potenciale të jashtëzakonshme. Vendi ka potenciale të jashtëzakonshme në fushën e energjisë. Në vend do të ndërtohen 443 stacione hidroelektrike. Vendi im ishte i suksesshëm. Fal një ligji shumë të mirë, për periudhën 2007-2009, kemi nënshkruar me sektorin privat rreth 100 kontrata për rreth 300 stacione hidro në të gjithë vendin”, bëri të ditur kreu i ekzekutivit.

Gjithashtu shefi i qeverisë shqiptare bëri edhe një pasqyrë të potencialeve natyrorë që ka vënd ynë.

“Ambicia e qeverisë sonë është për t’u bërë e gjelbër, “Go green”. Vendi do të shndërrohet në një superfuqi të vogël të energjisë së rinovueshme në rajon. Vendi ka një potencial të jashtëzakonshëm turistik, bregdetin më të bukur që mund të keni parë, Bregdetin e Jonit”, u shpreh Berisha.

Ai përmendi edhe ligjin e ri që do të përjashtojë nga çdo lloj takse, investitorët që do të investojnë në malet tona për një periudhë 8 vjeçare.

“Kemi kaluar Parlament një ligj mbi pronësinë, investitorët e huaj, që do të blejnë tokën bazuar në dokumente origjinale shtetërore nuk do të përballen më me pretendimet e të tretëve”, bëri të ditur Kryeministri.

Gjithashtu, Berisha u ndal edhe në pasuritë minerale të maleve tona.”Ne jemi një vend, rezervat e bakrit, nikelit, hekurit janë të përmasave të rezervave botërore. Kështu padyshim shpresoj që t’i vendosni ëndrrat tuaja në këtë vend, dhe ëndrrat tuaja të bëhen realitete të mëdha, të suksesshme. Qeveria ime do t’ju mbishtesë plotësisht dhe do të jetë një histori suksesi.  Nuk njoh investitorë që kanë humbur në këtë vend”, përfundoi Kryeministri Berisha.

YPO është një organizatë e themeluar në vitin 1950 në SHBA dhe qëllimi i kësaj organizate, që ka një rrjet global prej rreth 19,000 anëtarësh dhe përfaqësues, që vijnë nga bizneset më prestigjioze në botë dhe  operon në 110 vende.  Synimi , është të lidhë Presidentët e Rinj të Kompanive me njëri – tjetrin me qëllim që t’i shërbejnë, të mësojnë e të referojnë për  vendet  përkatëse për mundësia  më të mëdha .

Vizita e tyre në Shqipëri do të japë mundësinë që ata të zhvillojnë takime me biznese e të shkëmbejnë eksperienca, të vizitojnë institucione të ndryshme, të njohin kulturën e vendit tonë, si dhe të prezantohen me artin dhe kuzhinën në Shqipëri  për tu kthyer në Ambasadorë të vërtetë të Shqipërisë.