Lajme Shqip Monday, 13 February 2012 00:20

Gjendja në veri-lindje të vendit në Shqipëri është vërtetë e vështirë por jo dhe aq sa për të shpallur gjendjen e jashtëzakonshme. 

Zëra brenda kampit të mazhorancës, flasin për një ftohje të mardhënieve mes kryeministrit Berisha dhe kreut të LSI-së Ilir Meta pasi ky i fundit insiston të futet në kabinetin qeveritar si ministër dhe kërkon pikërisht Ministrinë e Brendshme të cilën Berisha heziton t’ia besoj jo për shkak të aftësive sesa për një moment tjetër, që ka të bëjë me “çlirimin” vetëm pak ditë më parë nga akuzat për korrupsion nga Gjykakta Kushtetuese të Metës, pas gjyjimi të çështjes së videos “Meta-Prifti”.

Tensioni është aq i lartë saqë burime brenda mazhorancës thonë që shefi i qeverisë shqiptare si gjithmonë ka vendosur të përqendrojë të gjithë energjitë dhe vëmendjen tek situata në veri. Madje në ditën e djeshme ai vendosi të shpallë edhe gjendjen e fatkeqësisë natyrore, mënyrë kjo sipas burimeve të portalit që përdor Berisha për të marrë kohë e për gjetur një zgjidhje të mesme të probleme e në këtë rast përplasjen me aleatin më të rëndësishëm të koalicionit Ilir Meta i cili është shumë i vendosur të rikthehet në qeveri dhe mundësisht në një post kyç.

Një fakt  tjetër që tregon padurimin dhe presionin që Ilir Meta po ushtron mbi aleatin e tij Berisha është edhe konferenca e para disa ditë të kreut të LSI-së.

Ai krejt pa pritur doli në një konferencë të çuditshme për mediat ku i bënte thirrje “institucioneve shtetërore” që të merrnin masat për t’i ardhur në ndihmë banorëve të zonave të bllokuara nga dëbora ndërsa vlen të theksohet se Meta është kryetari i një Partie që ka postin e zëvendëskryministrit dhe 3 ministri të rëndësishme në qeverinë Berisha, (Ministrinë e Jashtme, Ministrinë  e Shëndetësisë dhe Ministrinë e Ekonomisë).

Berisha mbledh urgjentisht qeverinë në mbrëmjen e të dielës…

Në kundërpërgjigje të kësaj përgjigje që pret kryetar i LSI-së, kryeministri, Sali Berisha shpalli gjendjen e fatkeqësisë natyrore në zonat e izoluara nga dëbora. Nisur pikërisht nga situata e rëndë në zonat e bllokuara nga reshjet e shumta të dëborë, kryeministri Berisha thirri në mbrëmje mbledhjen e jashtëzakonshme të qeverisë.

Gjatë fjalës së tij, kreu i qeverisë shqiptare shprehu shqetësimin për situatën e jashtëzakonshme në veri dhe verilindje të vendit. Sipas tij, gjysma e territorit të vendit është e rrethuar nga dëbora dhe temperaturat e ulëta.

“Bora me mbi 2.5 metër lartësi përbën një problem real të lëvizjes, furnizimit me ushqime, ndaj dhe duke shpallur gjendjen e fatkeqësisë natyrore në këto zona nënkupton ndërmarrjen e përgjegjësive për hapjen e rrugëve në të gjitha komunat e izoluara si kusht i të gjitha kushteve për shpëtimin e banorëve të kërcënuar”, vuri në dukje kryeministri Berisha.

Gjithashtu, duke bërë një përmbledhje të shkurtër të situatës së deritanishme dhe asaj çfarë duhet të ndiqet në vijim, kreu i ekzkeutivit evidentoi faktin se potenciali i ortekëve është rrezik i madh. Ndaj, sipas tij, stafi mjekësor ka qenë dhe do vijë të jetë i angazhuar për banorët, pasi duhet të parandalohet çdo humbje jete. Gjithashtu, kryeministri Berisha u bëri thirrje drejtuesve vendor të organizojnë punën në zonat e bllokuara.

“Trashësitë e dëborës janë të mëdha dhe potenciali i orteqeve është i madh, por përveç orteqeve, një rrezik tjetër serioz janë çatitë, shembja e të cilave nga dëbora krijon katastrofa të vërteta në familjet. Në emër të qeverisë duke u shprehur solidaritetin më të madh banorëve të izoluar nga dëbora, qeverive vendore, u bëj thirrje që në mënyrë të programuar të përballojnë çdo mundësi për rrezikimin e jetës së banorëve”, nënvizoi Berisha.

Në po këtë linjë, Kryeministri shtoi se “është në tagrin dhe detyrën e qeverive vendore që të organizojnë punën me synimin që në këtë situatë të pazakontë të mos kërcënohet jeta e familjeve”.

Ndërkohë, kryeministri Berisha risolli në kujtesë se Komiteti i Emergjencës Civile ka ndërmarrë dhjetra e dhjetra aksione nga toka dhe ajri për të dërguar ndihma banorëve të izoluar nga dëbora.

Por në fjalën e tij, kryeministri Berisha iu kundërpërgjigj dhe deklaratave të ardhura nga kreu i PS-së, Edi Rama, lidhur me angazhimin e qeverisë në ndihmë të zonave të bllokuara. “Rama hedh vrer mbi situatën e krijuar dhe po e përdor këtë situatë për të marrë vota. Ai po fërkon duart nga situata e krijuar”, deklaroi Berisha, sa i takon kësaj çështje. Pavarësisht reagimeve të kryetarit të PS-së, Kryeministri garantoi se qeveria e drjtuar prej tij do të bëjë gjithçka në ndihmë të banorëve.

“Falenderoj ambasadorët, Arvizu e Sequi për mbështetjen. Jemi të angazhuar që të bëjmë gjithçka për përballimin e situatës, për kalueshmërinë e rrugëve. Forcat e Armatosura të mobilizuara për të ndihmuar banorët. Gjithçka që jeta e banorëve të normalizohet. Të vendosur të mbrojmë jetën e qytetarëve”, u shpreh kryeministri Berisha.