Lajme Shqip Tuesday, 12 April 2011 06:50

Shkodër – “Shkodra do të jetë kryeqendra më e zhvilluar e të gjithë rajonit në 4 vitet e ardhshme. Këto 4 vite, ne do të investojmë në këtë qytet më shumë se 20 vite të marra së bashku”, deklaroi nga Shkodra kryeministri Sali Berisha. Kryeministri Berisha ishte i pranishëm në tubimin me qytetarë të Shkodrës, ku u prezantua kandidati i koalicionit “Aleanca për qytetarin” në zgjedhjet vendore të 8 majit për Bashkinë e Shkodrës, Lorenc Luka.

Kryeministri u ndal në arritjet gjatë mandatit që kaloi, duke u shprehur se “gjatë mandatit që shkoi, në qytet, në komuna, në fshatrat e qarkut të Shkodrës, ne kemi ndërtuar 448 kilometra rrugë, 130 shkolla, janë bërë invetsime të mëdha, në ujësjellës e kanalizime”. Kryeministri premtoi se motoja do të jetë “24 orë ujë për të gjithë banorët e qarkut të Shkodrës’. Duke u ndalur tek kultura, Berisha premtoi shumëfishim të investimeve në kulturë në të gjithë trashëgiminë e saj kulturore, në të gjitha institucionet e saj. “Shkodra dhe qytetarët e saj do kenë terrenet sportive më moderne në rajon”, tha Kryeministri, ndërsa përshëndeti Hamdi Salihin.

Në prezantimin e kandidatit Luka, Kryeministri vlerësoi përkushtimin dhe e punën e tij në 4 vitet e mandatit që shkoi, si dhe shprehu mbështetjen për realizimin e projekteve të mëdha për këtë qytet në infrastrukturë, në fushën e arsimit, të artit e kulturës, si dhe në mbështetjet të biznesit dhe hapjen e vendeve të reja të punës. Kryeministri vuri në dukje se investimi në të gjithë infrastrukturën rrugore e arsimore të Shkodrës, By pass-i, shumëfishim i investimeve për trashëgiminë e saj kulturore, terrene sportive moderne, rikonstruksioni i stadiumit, teatrit, janë disa nga projektet e rëndësishme për këtë qytet, në 4 vitet e ardhshme.

“Ne i hoqëm Shkodrës nga fytyra e saj e bukur rrudhat e pamerituara të regjimit të shëmtuar komunist, por sëbashku këto 4 vite do të nisim ndërtimin e Shkodrës së shekullit të ri”, theksoi Kryeministri, duke garantuar se “këto 4 vite, ne do ta bëjmë Shkodrën epiqendrën kryesore kulturore të veriut e më gjerë; bota akademike e Shkodrës do të njohë dimensione të reja, të mëdha”.

“Këto 4 vite, së bashku do t’i japim fund fatkeqësisë ciklike natyrore. Shkodra do të ketë By pass-in e saj, do të ketë mbrojtjen e saj njëherë e përgjithmonë”, vijoi më tej Kryeministri, ndërsa shtoi se “në 4 vitet që vijnë, ne do të investojmë në të gjithë infrastrukturën e këtij qyteti, do të mbyllim landfill-in e vjetër, do të krijojmë terrene të reja sportive, do të krijojmë kampuse universiteti, do rikonstruktojmë stadiumin, teatrin, do të ndërtojmë shtëpinë e artit”.

Ndërkohë, Berisha nënvizoi se “dimensione të reja do të marrë biznesi shkodran. Do të krijojmë parqet industriale dhe një numër të madh vendesh punë”.

“Kjo është rruga jonë, rruga e gjithsecilit prej jush, rruga e lirisë. Rrugë, në të cilën secili nga ne ka në dorë të bëhet arkitekt i jetës së tij, arkitekt i të ardhmes së tij, familjes së tij, lagjes, komunitetit, qytetit e vendit të tij”, tha Kryeministri, ndërsa vuri në dukje se krahas kësaj rrugë, sërish bijtë na sjellin rrugën e etërve, rrugën e vetme. “Le t’ua lemë atyre rrugën e vetme. Më duhet t’i them shokut Edvin Rama se vërtet në këtë fushatë nuk do harxhoj qoftë edhe 30 sekonda të merrem me ty, absolutisht, se njeriu që merret me shumë me Edvin Ramën është vetë Edvin Rama. Duaj fatin tënd, ne do të fitojmë”, tha Berisha.