Lajme Shqip Sunday, 04 December 2011 00:03

Tiranë: “Sabri Godo, me veprimtarinë e tij politike në këto 20 vite, u shndërrua në simbol të urtësisë, maturisë dhe mençurisë së politikanit”, tha sot në mbrëmje, Kryeministri Sali Berisha, pas një vizite ngushëllimi pranë familjes Godo.

Kreu i Qeverisë shprehu ngushëllimet më të thella për këtë humbje të madhe dhe të pakompensueshme të njërit prej personaliteteve më të shquara të politikës dhe letrave shqiptare, Sabri Godos.

“Sabri Godo themeloi dhe drejtoi me aftësi dhe mençuri të madhe Partinë Republikane dhe dha një kontribut thelbësor në procesin e hartimit të ligjeve themelore të vendit.

Ai dha kontribut të madh në të gjithë dialogun midis forcave politike në Shqipëri, por edhe midis faktorëve politikë shqiptarë jashtë Shqipërisë”, tha Berisha.

Ai vlerësoi se Sabri Godo ka një kontribut themelor në letrat shqipe me veprat e tij për Skënderbeun, Ali Pashën etj.

“Sabri Godo është korifeu i romanit historik shqiptar. E kam njohur prej shumë dekadash dhe ruaj kujtimet e një intelektuali të shquar, të një atdhetari të vërtetë, një mendimtari të shquar.

Me ndarjen e tij nga jeta, politika shqiptare humbi më të urtin e saj, letrat shqipe humbën korifeun e romanit historik të tyre dhe mendimi intelektual shqiptar, njërin nga mendimtarët më të shquar”, tha Berisha.