Lajme Shqip Friday, 12 July 2013 19:49

Tiranë – Kryeministri në largim Sali Berisha, që mori 1 milion vota kundër, akoma vazhdon të besojë se është në pushtet.
Ai ka sulmuar sërish kryeministrin e ardhshëm, Edi Rama, duke thënë se nuk ekziston kryeministër i zgjedhur.
Sipas Berishës, revanshi të bën Enver, por edhe Don Kishot.
“Të dashur miq, z.Rama ka hapur në selinë mavi, ngjitur me zyrën e tij prej kryetari të PS, zyrën e tij të “kryeministrit të zgjedhur”. Në Kushtetutat e vendeve të lira, President apo Kryeministër i zgjedhur njihet vetëm Presidenti dhe Kryeministri që zgjidhen direkt nga populli në periudhën nga dita e fitores së zgjedhjeve deri ditën e inaugurimit në detyrë. Kushtetuta e Shqipërisë dhe e të gjitha Republikave parlamentare dhe Mbretërive konstitucionale të Europës nuk njohin Kryeministër të zgjedhur pasi në zgjedhje të përgjithshme zgjidhen vetëm deputetët kurse vetë Kryeministri emërohet nga kryetari i shtetit ose Parlamenti dhe gjithnjë votëbesohet në Parlament. Këto norma themelore kushtetuese, institucionet kushtetuese të vendit, Presidenti dhe Parlamenti nuk ekzistojnë për Edi Ramën me 63 deputetët e tij. Ai është vetëshpallur kryeministri i zgjedhur dhe nuk paska nevojë të emërohet nga Presidenti as dhe të votëbesohet nga Parlamenti. Revanshi të verbon, të bën dhe Enver, por dhe Don Kishot! Ndryshim! Përpara drejt të shkuarës!!!” shkruan Berisha në Facebook.