Lajme Shqip Wednesday, 20 July 2011 15:37

Tiranë – Kryeministri Sali Berisha e cilësoi sot “regjistrimin e popullsisë dhe pasurive të qytetarëve shqiptarë një akt madhor dhe të rëndësishëm për të njohur të vërteta më thelbësore të individit, shoqërisë, kombit dhe vendit në momentin kohor në të cilin ai realizohet”.

Gjatë mbledhjes së Këshillit të Ministrave, Berisha tha se ky regjistrim ka një rëndësi të veçantë dhe më të madh se shumë regjistrime të tjera të bëra më parë.

“Për herë të parë në historinë e këtij vendi, qytetarët shqiptarë regjistrohen si qytetarë të një Shqipërie tjetër, të një Shqipërie më të ardhura të mesme të larta dhe që nuk është më streha varfërore dhe e mjerimit të Europës, si është identifikuar pothuaj në shekuj”, u shpreh kryeministri.

Sipas tij, regjistrimi i popullsisë bëhet në një realitet pakrahasimisht të ndryshëm dhe pozitiv.

Kreu i Ekzekutivit nënvizoi se “do të regjistrohet Shqipëria, e cila në turra vrapin e saj, gjatë kësaj dekade ka shënuar arritje shumë të mëdha”.

Sipas tij, regjistrimi bëhet në një realitet të ri dhe nuk ka lidhje me politikën.

“Arsyeja pse u shty censusi ka qenë fushata zgjedhore, zgjedhjet lokale, sepse qeveritë vendore kanë përgjegjësinë kryesore në këtë akt madhor, në të cilin Shqipëria dhe shqiptarët do të dëshmohen një vend tjetër, që ecën me hapa të sigurta drejt një vëndi të zhvilluar”, u shpreh Berisha.

Ai nënvizoi se ky komb nuk ka vuajtur dhe nuk do të vuajë kurrë për identitetin e tij.

Gjatë mbledhjes së qeverisë, Berisha u ndal edhe në qëndrimet e shprehura kundër këtij regjistrimi, duke theksuar se “ky proces nuk ka asnjë lidhje me klithmat mjerane të disa individëve”.

“Ata të cilët shfrytëzojnë karriket e larta shtetërore ata i përdhosin ato karrike, kushtetutën dhe postin dhe janë më të mjerë se çakenjtë e tyre”, u shpreh ai.

Kryeministri tha se qytetarët shqiptarë do të kenë mundësinë të deklarojnë përkatësinë e tyre etnike dhe fetare me vullnet të lirë dhe nëse e mendojnë se nuk duhet ta bëjnë një gjë të tillë, janë të lirë të mos i shënojnë këto të dhëna.

“Shqiptarët do regjistrohen si qytetarë të lirë, të tregojnë pronat, pasuritë, besimin dhe përkatësinë pa asnjë detyrim dhe me vullnet të lirë. Ai që i konsideron këto si çështje private, është i lirë të mos shënojë asnjërën prej tyre. Unë do t’i shënoj për vete se jam krenar për identitetin tim, besimin tim fetar”, deklaroi Berisha.

Ndërsa lidhur me amendimin e ligjit, Kreu i ekzekutivit tha se nga çertifikata u hoq nacionaliteti.

“Hoqëm një nen absurd në ligjin e regjistrimit, sipas të cilit, të dhënat e regjistrimit duhet të hidhen në gjëndjen civile”.

Sipas tij, të dhënat e regjistrimit dhe gjëndja civile janë dy gjëra krejt të ndryshme.”Regjistrimi është një e dhënë e caktuar e vjeshtës së vitit 2011, i cili pasqyron një tregues demografik të vjeshtës së vitit 20011, nuk pasqyrohet as në gjendje civile, por përdoret nga qeveria në politikat e zhvillimit, për shpërndarjen e të ardhurave kombëtare, e cila bazohet në disa tregues, njëri prej të cilëve është popullata. E përdor për strategji zhvillimi, për një seri qëllimesh të politikbërjes, por nuk ka asnjë lidhje me gjendjen civile”, sqaroi kryeministri.

Gjithashtu kreu i ekzekutivit i kërkoi ministrisë së Brendshme që të nisë puna në qarqet e vendit dhe të krijohen komisionet për regjistrimin e popullsisë.

Në përfundim Kryeministri Berisha u bëri thirrje mediave që ta shëndërrojnë këtë proces në një proces të qytetëruar dhe që të dëshmojë Shqipërinë vend me të ardhura të mesme të larta dhe në një ngjitje të pandërprerë.