Lajme Shqip Monday, 27 February 2012 18:51

Tiranë-Kryeministri Sali Berisha gjatë mbledhjes së sotme të grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, akuzoi edhe njëherë liderin e opozitës se po bllokon punën për reformën zgjedhore dhe parlamentare. Sipas kreut të qeverisë, qëllimi i vetëm i bllokimit të këtyre reformave është pengimi i statusit të vendit kandidat për Shqipërinë.

“Ka frikë se marrim vlerësim pozitiv për statusin. Mua më vjen ndërmend një shprehje e Konicës, zoti e ruajtë Shqipërinë nga shqiptarët, ai ka pasur ndërmend individë të tillë dhe jo popullin shqiptar”, tha kryeministri.

Bllokimin e reformës parlamentare, Berisha e lidhi me faktin se, Rama është i sigurt që shqiptarët nuk do ta votojnë asnjëherë si kryeminstër. Nisur nga kjo, sic tha Berisha, ai do të shkurtojë fjalën e kryeministrit në parlament duke e lënë 10 minuta.

“Me urdhër të tij direkt janë bllokuar reformat e rregullores së parlamentit që në mbledhjen e parë. Ai lëshon ultimatume për tu kufizuar në 10 minuta fjala e kryeministrit të vendit, ndërkohë që cdo kushtetutë e cdo vendi demokratik i’a njeh kryeminstrit të drejtën e fjalës, në cdo kohë që ai do të flasë. Duke e perceptuat se shqiptarët nuk kanë ndërmend ta bëjnë kryeministër, mendoi se zgjidhja është t’i shkurtohet fjala kryeministrit, kjo është qesharake. Neni për të drejtën e fjalës së kryeministrit u vendos nga mazhoranca socialiste”, deklaroi Berisha më tej.

Ndërsa duke folur për reformën zgjedhore, kreu i qeverisë e cilësoi të pavend kërkesën e opozitës për dënimin me 8 apo 7 vite burg të komisionerëve për një fletë votimi. Berisha tha më tej se, Rama do të dënojë me kërkesat e tij komisionerët që firmosën disfatën e tij në zgjedhje. (BW)