Lajme Shqip Wednesday, 07 March 2012 17:31

Korçë- Kryeministri Sali Berisha u shpreh sot nga qyteti i Korçës, ku ndodhet me rastin e 7 marsit, se vështirësitë e krijuara për integrimin e shqiptarëve në Bashkimin Europian, këto 2-3 viteve të fundit, janë kryekëput të pamerituara, por shtoi ai, jam i bindur se janë të përkohshme.

“Unë kam bindje më të thellë se interesi jetik i opozitës shqiptare është që procesin e integrimit të vendit ta konsiderojë si një proces të detyruar për të gjithë shqiptarët, si një proces, i cili nuk mund të tjetër veçse kontributit të gjithë shqiptarëve dhe forcave politike”, tha Berisha.

“Unë dua t’i garantoj shqiptarët se do të bëjmë gjithçka, sëbashku me ta, t’i kapërcejmë vështirësitë. Por nga ky tempull i dijes, i vokacionit perëndimor të kombit, unë dua t’i shtroj një pyetje zotit Edi Rama që, me sa di unë, e ka vizituar sot këtë tempull. Dje u zotove dhe më erdhi mirë se do të votoje çdo gjë, madje se e keni votuar gjithçka që kërkohet në procesin e statusit të Shqipërisë për në Bashkimin Europian. Kjo është pozitive, por dhjetë ditë më parë kur urdhërove grupin parlamentar dhe vendose të mos votonin Kodin Penal, kur deklarove të bllokuara reformat, këto i bëre për të ndihmuar Shqipërinë apo Serbinë? Këto ditë rëndom po krahason e po shpreh keqardhje që Serbia e mori statusin dhe Shqipëria jo. Unë nuk kam asnjë keqardhje që Serbia e mori statusin dhe ajo e meritoi që e mori, sepse Serbia nuk ka asnjë forcë politike që të mos votojë ligjet që kërkohen, por dhjetë ditë më parë, kur ti bllokove në parlament Kodin Penal, e bërë këtë për të ndihmuar Shqipërinë apo Serbinë?!”, deklaroi Kryeministri Berisha

Sidoqoftë, vijoi kreu i qeverisë, “unë kam bindje më të thellë se interesi jetik i opozitës shqiptare është që procesin e integrimit të vendit ta konsiderojë si një proces të detyruar për të gjithë shqiptarët, si një proces, i cili nuk mund të tjetër veçse kontributit të gjithë shqiptarëve dhe forcave politike, si një proces, në të cilin nuk ka asnjë të humbur, por vetëm të fituar, si një proces që buron thellë nga shpirti i qytetarëve shqiptarë”.

“Në rast se mendohet se një javë para bllokohen dhe një javë më vonë thuhet se po kontribuojmë duke e zhbllokuar, kjo është një këngë, një melodi e trishtuar që shqiptarët e kanë dëgjuar 45 vjet me radhë nga etërit e tyre dhe nuk e besojnë më”, përfundoi Kryeministri Berisha. (LajmeShqip.com)