Lajme Shqip Wednesday, 24 August 2011 14:03

Tiranë – Kryeministri Sali Berisha, në mbledhjen e sotme të qeverisë iu përgjigj në distancë kryetarit të PS-së, Edi Rama, duke komentuar editorialin e tij të publikuar të martën në shtypin shqiptar. Në këtë shkrim, kreu i opozitës reagonte ndaj zhvillimeve të fundit në Libi si dhe reagimin e kryeministrit Berisha për ngjarjet në Tripoli.

“Rama, ka lënë tani politikën dhe është rikthyer në orgjinë, në pikturë dhe publicistikë, që të dyja të dështuara. Ai është rikthyer në publicistikën e mjerimit. Dje ankohej, sulmonte pse unë kisha bërë fjalë pardje për rënien e Tripolit, në një kohë, që thotë ai (Rama) Tripoli nuk kishte rënë. Por, përveç atij askush nuk tha se Tripoli nuk kishte rënë”, reagoi kryeministri.

Duke komentuar më tej editorialin e kryetarit të opozitës, Berisha e krahasoi diktaturën në Libi me atë në Shqipëri gjatë regjimit komunist, prandaj dhe shqiptarët sipas tij nuk kanë se si mos ta quajnë rënien e Tripolit si një fitore historike për kombin libian dhe historinë.

“Shqetësimi i dytë i Ramës ishte se unë e kisha quajtur fitore. E quaj këtë një fitore shumë të madhe se një regjim 40-vjeçar, një vend të pasur me resurse natyrore e mbajti në një spirale shtypjeje të egër. Edhe sot në Libi 40% e popullsise jetojnë në varfëri, pasi ky vend nën drejtimin e Geddafit iu nënshtrua sanksioneve nga më të rreptat për shkak të akteve terroriste që ai mbështeti dhe sponsorizoi”, tha kryeministri.

Duke mos pranuar të komentojë pjesën tjetër të editorialit të kreu të opozitës, Berisha i sugjeron Ramës të lexojë veprën “Albanian Stalinism”, dhe konkretisht dy vargjet e fundit me të cilat mbyllet ajo vepër.

Në mbledhjen e sotme të qeverisë, kryeministri përshëndeti sërish forcat opozitare të Libisë që i dhanë fund regjimit diktatorial 42-vjeçar të kolonel Muammar Gheddafi.

Sipas tij, edhe pse Shqipëria nuk mori pjesë në operacionet ushtarake të NATO-s, në Libi, qeveria shqiptare i ka ofruar të gjitha lehtësitë aeroportuale Alencës së Atlantikut të Veriut, si ato portuale ashtu edhe ato ajrore, nëse se do të nevojiteshin për operacionet.

“Qeveria shqiptare ka njohur që në fillim Këshillin Kombëtar të Tranzicionit dhe unë dua të përshëndes përfaqësinë libiane në Shqipëri, e cila prej kohësh ka ndërprerë çdo lidhje me regjimin gjakatar të Gaddafit dhe është vënë në dispozion të Këshilit Kombëtar”, tha Berisha.

Kryeministri shprehu gatishmërinë e qeverisë shqiptare për të marrë pjesë në të gjitha operacionet humanitare dhe paqësore në ndihmë të kombit libian.

“Në kuadër të NATO-s, Ministria e Mbrojtjes dhe Ministria e Shëndetësisë, duhet të marrin të gjitha hapat për të përgatitur ekipe shëndetësore, qoftë dhe spitale fushore me të gjitha pajisjet e nevojshme, për të mbështetur Libinë”, tha ai.

Procesin e përmbysjes së klikave diktatoriale kryeministri Berisha e vlerësoi një zhvillim historik jo vetëm për kombin e madh arab, por dhe një zhvillim historik e frymëzues për mbarë popujt e shtypur.