Lajme Shqip Thursday, 05 September 2013 12:53

Tiranë – Kryeministri në ikje Sali Berisha ka mbledhur sot për herë të fundit kabinetin e tij qeveritar. Ai falenderoi qytetarët shqiptarë për besimin 8-vjecar që i dhanë. Që në nisje, Berisha u shpreh se, “Kjo është mbledhja e fundit pas 2 mazhorancash, kjo është mbledhja e 425 në 8 vite, në të cilat janë miratuar mbi 7255 mijë vendime e ligje”, tha ai.

Duke iu drejtuar qytetarëve, Berisha tha se dy ishin qëllimet e tij si kryeministër në 8 vite, integrimi euroatlantik dhe Shqipëria vend i zhvilluar. Para 8 vitesh sipas tij, integrimi ishte një çështje e ngrirë për Shqipërinë. Ai akuzoi qeverisjen e para tetë viteve se vendosnin interesat personale para atye kombëtare, se ushqenin konsolidimin e sistemit të korrupsionit dhe se nuk luftonin krimin e organizuar.

“Të dashur qytetarë shpreh mirënjohje për besimin që na dhatë në 8 vite. Që ditën e parë dhe gjer më sot dy kanë qenë objektivat, qëllimet e të gjitha qëllimeve. Me bindjen më të thellë se ato ishin interesat më jetike të cdo fëmije, burri, gruaje apo të moshuari. Ato ishin dhe mbeten, integrimi në BE dhe Shqipëria vend i zhvilluar. 8 vite më parë procesi i integrimit ishte i ngrirë, jo për shkak të partnerëve ndërkombëtarë por për shkak të papërgjegjësisë të atyre që qeverisnin, të cilët vendosnin interesat meskine të pushtetit të tyre mbi interesat jetike të qytetarëve dhe kombit shqiptar. Shqipëria kishte hapur negociatat për marrëveshjen e stabilizim-asocimit, po firmosja e kësaj marrëveshje largohej se Shqipëria bënte zgjedhje të dhunuara, konsolidonte sistemin e korrupsionit nuk luftonte krimin e organizuar, pushteti bashkëjetonte me bandat më të rrezikshme të Europës. Këto ishin faktorët dhe rrethanat që kishin ngrirë procesin e integrimit evropian dhe euroatlantik”, tha Berisha.
Edhe në këtë mbledhje të fundit, Berisha nuk i kurseu akuzat për kryesocialistin Rama, i cili pas disa ditësh pritet të ulet në karrigen e tij.

Berisha u shpreh se ai asnjëherë nuk ka artikuluar një frazë të vetme se si do ta luftojë korrupsionin.
“Shqiptarët a mund ti thonë vetes, njëri-tjetrit apo fëmijëve të tyre qoftë edhe dy fraza të vetme, një nocion të vetëm të Ramës, se si do e luftojë ai korrupsionin, 0, asnjë-njeri, gazetar, publicist nuk gjen qoftë edhe një zotim të tij të vetëm për të luftuar korrupsionin.
Kjo pasi ai ulet në këtë karrige me një pallat dhe një vilë për të cilat s’ka deklaruar asnjë qindarkë, është akuzuar në mënyrë të përsëritur si mister 20%, ka përzgjedhur me dosje korrupsioni pjesën dërrmuese të kabinetit të tij”, shtoi ai.

Duke vijuar akuzat për Ramën, Berisha shtoi se, “Piktori dështak nuk ka nocion për ekonominë, ai mohon cdo gjë. Kush mohon cdo gjë, s’kupton asgjë, nuk ke si ndërton sukses, ndërton vetëm dështim”.

Ndërsa duke folur për koncesionet, Berisha ftoi qeverinë e re t’i shqyrtojë ato me lupë, pasi janë sic nënvizoi ai, leva e Arkimedit për shndërrimin e Shqipërisë në vend lider të prodhimit të energjisë në rajon.

“Dënoj qëndrimet paragjykuese ndaj koncesioneve, qeveria e re le ti shikojë me lupë. Ato janë leva e Arkimedit me të cilën Shqipëria do shëndrrohet në një vend lider të energjisë në rajon”. /BW/