Lajme Shqip Sunday, 27 March 2011 16:45

Tiranë – Kryeministri Sali Berisha u shpreh i sigurt të dielën se koalicioni i djathtë “Aleanca për qytetarin” do të jetë fitues i zgjedhjeve lokale, ndërsa theksoi se “më 8 maj fitimtari më i madh do të jetë qytetari shqiptar”.

Gjatë mbledhjes së Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, që do të zyrtarizojë listën e kandidatëve për bashkitë dhe komunat e vendit, Kryeministri Berisha tha se “Aleanca për qytetarin” do të sigurojë qindra projekte në mbështetje të qytetarit, zhvillimit të vendit dhe një fitore të shkëlqyer ndaj aleancës së shkuar të kryesocialistit Rama.

Ai theksoi se kandidatura e Lulzim Bashës për Bashkinë e Tiranës është më e mira dhe është mirëpritur nga qytetarët. Qëllimi madhor i fushatës elektorale, që ka nisur, vijoi Kryeministri, është vota e lirë.

“Ne jemi parti e votës së lirë. Qëndrimi ndaj votës dhe konsolidimit të saj janë ndër thesaret më të çmuara të PD-së”, tha Berisha, ndërsa e cilësoi si historike për vendin edhe rotacionin politik në 2005, kur kryetari i PS-së dhe kryeministri i asaj kohe, Fatos Nano, pranoi rotacionin në një proces zgjedhor, që për hir të së vërtetës ishte sërish larg arritjes së standardeve.

Berisha vuri në dukje se “Shqipëria shkon në zgjedhje lokale me një kuadër ligjor konsensual, standarde të larta teknologjike të numërimit dhe me parimin themelor të respektimit të votës së lirë të qytetarëve”.

Në këtë drejtim, Berisha u bëri thirrje gjithë strukturave të PD-së që të zbatojnë Kodin Zgjedhor në të gjitha nivelet zgjedhore, duke dëshmuar se “PD ka vullnetin për të zbatuar ligjin”.

Kryeministri shprehu besimin se këto zgjedhje do të jenë të standardeve më të mira, ndërsa theksoi se “PD shkon e sigurt në fitore, sepse ka krijuar aleancën më të fuqishme që vendi ka njohur ndonjëherë, dhe do bëjë një fushatë që vendos në qendër qytetarin”.

“Ne do të ndërtojmë qindra dhe mijëra projekte në interes të qytetarit shqiptar, si rruga më e sigurt për të zhvilluar këtë vend me shpejtësinë më të madhe, si rruga më e sigurt për të arritur fitoren më të thellë që nga viti ’92 deri më sot”, tha Berisha.

Sipas tij, përballë është aleanca e së shkuarës, pasi Rama zgjodhi të bëjë koalicion me Partinë e Punës së Shqipërisë. “Rama u rikthye te dashuria e vjetër dhe përfshiu në koalicion Partinë e Punës”, tha Berisha.

Në fjalën e tij, kryeministri theksoi se PD është forca politike e premtimeve të mbajtura, ndërsa renditi arritjet kryesore të vendit gjatë viteve të fundit, si anëtarësimi i Shqipërisë në NATO, realizimi i lëvizjes së lirë dhe transformimi i infrastrukturës në vend, ku veçoi ndërtimin e rrugës së kombit Durrës-Kukës.

“Ne kemi mbajtur premtimet tona dhe kemi transformuar infrastrukturën në vend, duke bërë që Shqipëria të shpallet destinacioni kryesor turistik i botës për këtë vit”, tha Berisha, ndërsa theksoi se qeveria ka rritur rrogat dhe pensionet dhe ka luftuar me vendosmëri krimin dhe korrupsionin.

Kryeministri kujtoi se në një kohë kur qeveria punonte për liberalizimin e vizave, opozita bëri gjithçka për të futur në kutinë e mashtrimit, lëvizjen e shqiptarëve dhe për të bllokuar vizat.

“Ne shkojmë të sigurt në fitore sepse kemi në zbatim e sipër qindra projekte në të katër anët e vendit dhe do të hartojmë mijëra projekte të tjera për të investuar në 4 vitet që vijnë 4 herë më shumë se gjatë këtyre viteve”, tha Berisha.

Ai theksoi se në një dialog intensiv me qytetarët do të identifikohen të gjitha problemet dhe do të hartohen projekte, duke shfrytëzuar potencialet që ofron çdo fshat, komunë apo bashki e vendit. Berisha siguroi se nuk do të lihet pas dore asnjë zonë sado periferike që të jetë, por do të investohet me përparësi në çdo fshat dhe komunë.

Duke u ndalur te fushata në Tiranë, Berisha tha se programi elektoral i kandidatit të PD-së, Lulzim Basha, mishëron në mënyrën më të shkëlqyer programin dhe parimet themelore të fushatës së PD-së për qytetarin.

Sipas tij, “Basha shpalosi alternativën  më të shkëlqyer të “Aleancës për qytetarin” për këto zgjedhje, që do të bazohet fund e krye në interesat dhe problemet e qytetarit.

“Kjo alterantivë është pritur me interes dhe entuziazëm nga qytetarët e Tiranës, por edhe të mbarë Shqipërisë. Basha tha se nuk e ka armik Ramën, por do merret me qytetarin, duke faktuar se ne nuk ecim me klishen e armikut, por merremi me qytetarin”, tha Berisha.

“Jam i sigurt se ecim drejt fitores më të bukur dhe të thellë që kemi njohur nga viti ’92. Është e rëndësishme që ta përsërisim këtë fitore në 20 vjetorin e demokracisë në Shqipëri”, tha Berisha.