Lajme Shqip Monday, 18 July 2011 15:45

Tiranë – Kryeministri Sali Berisha, duke bërë sot një bilanc të arritjeve të maxhorancës gjatë sesionit kuvendor që po mbyllet, akuzoi kryetarin e opozitës, Edi Rama, se bllokoi votimin e një numër p/ligjesh të rëndësishme, që kërkonin shumicë të cilësuar.

Kryeministri i vendit, duke folur në mbledhjen e sotme të grupit parlamentar demokrat, iu referua një sërë arritjesh në rrugën e reformave në sajë të miratimit të shumë p/ligjeve, por, shtoi ai, krahas tyre nuk u realizua dot reforma zgjedhore, kodi për transportin ajror, ligji “Për gjykatën administrative” etj, që mbetën peng i votës bllokuese në parlament të kryetarit socialist, Rama.

“Disa nga reformat ngecën për shkak të vendimit të Ramës për të përdorur pushtetin që sovrani i ka dhënë me votë të lirë për të bllokuar dhe jo për të votuar”, tha Berisha.

Duke u ndalur në letrën e fundit që kryetari i grupit demokrat, Astrit Patozi, i drejtoi homologut socialist,  Gramoz Ruci, kryeministri tha se përgjigja e këtij të fundit ishte se kemi “të bëjmë me një qeveri fashiste orientale”.

“Ky ishte termi i fundit i një fjalori që i ka mërzitur aq shumë veshët e shqiptarëve dhe vetë shqiptarët ditën të qëndrojnë ndaj tij në zgjedhjet e 8 majit. Ne qëndrojmë të hapur, besojmë se çdo forcë politike ka të drejtë të zgjedhë qëndrimin e saj. Rama beson se bojkoti ishte strategji e suksesshme, por po të lexojë mesazhin e shqiptarëve mund të nxjerrë konkluzion tjetër”, u shpreh kryeministri Berisha.