Lajme Shqip Sunday, 03 April 2011 10:48

Durrës – “Qeveria po investon për ndërtimin e një infrastrukture moderne në të gjitha komunat e vendit, në mënyrë që banorët në zonat rurale të kenë një infrastrukturë moderne, të krahasueshme me atë të zonave urbane”, tha sot Kryeministri, Sali Berisha.

Gjatë inaugurimit të rrugës së re Flakë-Xhafzotaj në qarkun e Durrësit, Berisha tha se shumë shpejt përfundon i gjithë rrjeti rrugor në këtë qark.

“Ju jeni dëshmitarë se gjatë këtyre viteve në këtë zonë janë asfaltuar në dy komuna të mara së bashku të kësaj zone, 50 kilometra rrugë. Po në këto komuna, ne kemi ndërtuar 5 shkolla, 12 sisteme kanalizimesh dhe po financojmë dhjetëra hektarë me dru frutorë”, u shpreh Berisha.

Kreu i qeverisë bëri të ditur se, në vitet në vijim një sërë projektesh të tjera me vlerë 400 milionë lekë do të gjejnë mbështetjen financiare të qeverisë.

“Qeveria do të rrisë pagat dhe pensionet”, tha Berisha”.

Ai ftoi banorët të mbështesin kandidatin e “Aleancës për qytetarin”, si një alternativë për zgjidhjen e problemeve të tyre.

“Ne ju kemi në qendër të veprimtarisë sonë, pikërisht ju, qytetarët e kësaj zone dhe të gjithë Shqipërisë”, j’u drejtua banorëve Berisha, duke shtuar se “së bashku do të identifikojmë dhe hartojmë projektet që ju duhen komuniteteve tuaja për një jetë dinjitoze”.

Kryeministri premtoi se 4 vitet që vijnë, do të jenë vitet, ku qeveria do të vazhdojë politikat e saj të rritjes së pensioneve, në fshat dhe në qytet. “Ne do të vazhdojmë politikën e rritjes së pagave për të gjithë punonjësit, duke hedhur themelet përfundimtare të Shqipërisë, si një vend i zhvilluar deri në vitin 2017”, tha Berisha.

Alternativa jonë, vijoi Kreu i Qeverise, bazohet në shkolla, rrugë dhe ura, kanalizime, ullishte e projekte, në shërbime të mira ndaj qytetarit. Por, mbi të gjitha, theksoi ai, “bazohet në mbajtjen e premtimeve tona”.

Duke vënë përballë kësaj alternative, atë të opozitës, Berisha tha se, “alternativa e kreut të opozitës bazohet në shpifje e trillime dhe fjalor aspak të denjë”.

“I them shokut Rama të kthehet më mirë te problemet e qytetarëve dhe komuniteteve. Thuaju atyre se ç’farë mund t’u ofroni për nevojat dhe vizionin e tyre”, tha Berisha.

Rruga Flake-Xhafzotaj, një investim prej 360 milionë lekë që u përurua sot në prani të Kryeministrit Berisha është 11 km e gjatë dhe me gjërësi 7 metra.

Kreu i qeverisë theksoi se “kjo rrugë ju shërben jo vetëm 20 mijë banorëve të zonës, por edhe qindra e mijërave turistëve të cilët frekuentojnë brigjet turistike në këtë zonë”.