Lajme Shqip Tuesday, 08 November 2011 16:20

Tiranë – Kryeministri Sali Berisha u shpreh sot në konferencën, “Gjendja dhe zhvillimi i drurëve frutorë arrorë” se, rritja e sipërfaqes me arrorë ka një rëndësi të jashtëzakonshme për zhvillimin e vendit.
Kryeministri e quajti konferencën e parë mbi projektin e arrorëve si, tërësisht të vonuar për një temë, që sipas tij është kryesore pasi Shqipëria në të vërtetë është toka e arrorëve.
Megjithatë, shtoi Kryeministri, “arrorët krahasuar me potencialin e jashtëzakonshëm të vendit janë jo ekzotikë, por sporadikë”.
“Ky projekt është i një rëndësie të jashtëzakonshme për zhvillimin e qëndrueshëm të Shqipërisë dhe për zhvillimin dhe mbrojtjen e kësaj toke të pakët. Shqipëria ka tokë bujqësore më pak se të gjitha vendet në Evropë”, tha Berisha, duke shtuar se “ky është projekti më i madh i ndërmarrë në historinë e vendit”.
Ai theksoi se ndërtimi i infrastrukturës rrugore do t’i japë një dimension të ri projektit të arrorëve. “Për shkak të një infrastrukture pothuajse mesjetare në Shqipërinë kodrinore-malore, toka ka qenë e pa vlerë. Ne po ndërtojmë një infrastrukturë moderne dhe po shkurtojmë distancat”, tha Berisha.
Berisha ka pranuar suksesin me projektin për ullirin, i cili shkoi në 50 milionë rrënjë, ndërkohë që ka theksuar se me arrorët mund të shkohet në 200 milionë. Sipas tij, “projekti i arrorëve është një hap i madh drejt zhvillimit jeshil të Shqipërisë”.
     “Arrorët do i japin një pamje krejt tjetër zhvillimit të vendit, ne bëjmë hapat më të mëdhenj në drejtim të zhvillimit jeshil të Shqipërisë. Për këtë duhet të kthehet në agjendë të qeverisë, universitetit, qarqeve, komunave. Projekti do ketë sukses të plotë, pasi ne të kemi krijuar të gjithë ekspertizën shkencore”.
“Tregu i arrorëve është i përjetshëm, ndaj dhe kërkoj të bëhet gjithçka që Shqipëria të bëhet një ndër importueset kryesore në Evropë. Duhet të bëhemi ndër prodhuesit më të rëndësishëm të arrorëve, pasi Evropa importon 2 milionë tonë çdo vit”, tha Kryeministri.
     Berisha siguroi fermerët se do të rritet fondi i subvencionit për projektin e arroreve, duke shtuar se qeveria këtë vit ka dyfishuar fondin për këtë projekt të rëndësishëm.
     “Duhet të përcaktojmë kriteret më të mira dhe mbrojtjet më të mira për arrorët dhe ky projekt do ketë sukses vetëm duke ndezur pasionin në zemrën dhe mendjen e fermerëve shqiptarë”, tha Berisha duke shtuar se, fermerët falë pasionit të tyre në kushtet e sotme te tregut janë përpara qeverisë.
“Qeveria do rrisë progresivisht fondet për ta. Do krijojmë fondin e pyllëzimit. Ky projekt normalisht mund të përballohej me 300-400 milion euro, por ky është projekt i shekujve, i cili e jep investimin më shpejt se çdo projekt tjetër dhe s’do ngurrojmë ta mbështesim dhe financojmë atë”, tha Berisha.
Por vijoi ai, “problemi është se qeveria qendrore ka ekspertizën dhe teknikën. Territorin e kanë qeveritë vendore. Për këtë duhet që kryetarët e komunave dhe qeverive vendore t’i bëjmë promotorët kryesorë të këtij projekti. Duhet ta bëjmë këtë projekt agjendë kryesore të politikave të zhvillimit të komunave dhe autoriteteve vendore”, u shpreh Berisha.
Ai shtoi se Ministria e Bujqësisë po përgatit një kuadër të ri ligjor, që ato kompetenca që kanë Këshilli i Ministrave dhe Parlamenti t’i delegohen direkt autoriteteve vendore.
“Do të bëjmë transformim konceptual. Qeveria do të mbështesë fuqishëm këtë projekt dhe do të bëjmë gjithçka që ta shndërrojmë Shqipërinë në kopshtin më të bukur të Evropës”, përfundoi Kryeministri.