Lajme Shqip Wednesday, 30 November 2011 18:31

Tiranë-Kryeministri Berisha mirëpriti sot në një takim Presidentin e fundit të ish- Bashkimit Sovjetik, Mihail Gorbaçov, i cili ndodhet në Shqipëri si i ftuar nderi në Kampionatin Botëror të Shahut për Femra, që po zhvillohet në Tiranë.

Zyra e shtypit e Qeverisë bëri të ditur në një njoftim për shtyp se Kryeministri Berisha, duke i uruar mirëseardhjen e përzemërt në Shqipëri, i shprehu Presidentit Gorbaçov vlerësimin më të lartë të tij personal dhe të popullit shqiptar si një ndër “personalitetet ndërkombëtare më popullore në Shqipëri”, i cili duke udhëhequr një kurs reformash në një kohë të vështirë e të rrezikshme, “hapi një epokë të re lirie jo vetëm për popujt e Bashkimit Sovjetik, por për të gjithë Europën e botën”.

Ndër vendet e kombet ish- komuniste, tha Kryeministri Berisha, “shqiptarët kanë ndjekur me admirim e vëmendje të madhe të gjitha lëvizjet tuaja, të cilat kanë pasur rëndësi historike për nxjerrjen e këtyre popujve nga diktatura”.

Duke e konsideruar zotin Gorbaçov “kurajë e shekullit të shkuar”, Kryeministri tha se qëndrimin e tij ndaj murit të Berlinit dhe mesazhin që i dha udhëheqjes së Europës Lindore, nuk do ta harrojnë kombet e Europës dhe veçanërisht, Shqipëria, e cila njohu regjimin më të egër komunist diktatorial se çdo vend tjetër. “Midis nomenklaturës dhe popullit, ju zgjodhët popullin”, tha Berisha.

Shqiptarët, vijoi Kryeministri, sot ndjehen krenarë që nga vendi i hiperkolektivizimit total, ekonomisë së rrënuar, investimeve të huaja të ndaluara, me të ardhura për frymë 204 dollarë në vitin 1992 dhe papunësisë 80 për qind, është sot vendi që ka pësuar ndryshime rrënjësore, me të ardhura për frymë 8000 dollarë, me rritje 316 për qind të investimeve të huaja, me një ekonomi reale që i rezistoi recesionit.

Presidenti Gorbaçov shprehu kënaqësinë që vizitonte Shqipërinë, duke theksuar se dëshira për të vizituar Shqipërinë ka qenë e hershme. “Unë ua kam pasur shqiptarëve borxh këtë vizitë dhe tani e shleva atë”, theksoi zoti Gorbaçov. Ai u shpreh se ndjehej i prekur nga mikpritja që i është rezervuar dhe vlerësimet e Kryeministrit dhe shqiptarëve.

Zoti Gorbaçov e përgëzoi Kryeministrin për arritjet e Shqipërisë gjatë gjithë këtyre viteve, si dhe i shprehu vlerësimin për kontributin në jetën politike të vendit dhe transformimin e tij në këto 20 vjet. “Ju jeni një politikan real dhe kjo është e rëndësishme për vendin”, u shpreh zoti Gorbaçov.

Në takim ishte i pranishëm edhe Presidenti i Federatës Botërore të Shahut, Kirsan Ilyumzhinov.