Lajme Shqip Monday, 12 March 2012 15:07

Tiranë – Është e vështirë të mos mendosh se për incidentet etnike në Maqedoni dhe qëndrimin e ftohtë të politikës maqedonase ndaj tyre kur lexon se kryeministri shqiptarë Sali Berisha takon një guvernatorin e Maqedonisë Qendrore të Greqisë dhe diskuton me të për integrimin.

Maqedonia, ky emër që mban peng integrimin e shtetit me të njëjtin emër në BE dhe NATO pasi kështu do Greqia.  

Kryeministri Sali Berisha shprehu sot mirënjohjen e tij dhe te qeverisë shqiptare për mbështetjen e vazhdueshme që Greqia i ka dhënë Shqipërisë gjatë gjithë kësaj periudhe, në veçanti, për sa i përket projektit madhor të integrimit euroatlantik.  “Për ne në Greqi, ju jeni simbol i mbështetjes për bashkëpunim dhe miqësi midis popujve të rajonit”, theksoi zoti Psomiadhis.

Në takim u vlerësuan arritjen e rëndësishme të bashkëpunimit mes dy vendeve  në fushën e shkëmbimeve ekonomike dhe tregtare, ndërtimin e infrastrukturave të rëndësishme, turizmit, etj.

Në veçanti u vlerësua bashkëpunimi i suksesshëm në fushën e arsimit me këtë rajon, i cili ka bërë të mundur që një numër i madh studentësh shqiptarë të përfundojnë studimet e thelluara dhe më të larta në qytetin e Selanikut.

Të dy bashkëbiseduesit ndanë të njëjtin mendim për zgjerimin e mëtejshëm të këtij bashkëpunimi në të gjithë këto fusha, në të ardhmen, përfshi edhe nxitjen e mëtejshme të investitorëve dhe biznesit grek për të investuar në Shqipëri, si edhe zhvillimin e aktiviteteve sportive dhe kulturore.

Zoti Psomiadhis shfrytëzoi rastin për t’i shprehur kryeministrit Berisha dëshirën e tij dhe të qytetarëve te rajonit që ai përfaqëson për ta pritur atë në një vizitë, çka është në veçanti, dëshira e mbi 200 mijë shqiptarëve, të cilët aktualisht jetojnë dhe punojnë në këtë rajon, duke dhënë një kontribut të rëndësishëm si në jetën ekonomike dhe sociale, por edhe duke shërbyer si një urë e rëndësishme për forcimin e miqësisë mes dy popujve.