Lajme Shqip Monday, 26 December 2011 09:00

Tiranë- Kryeministri Sali Berisha, i pranishëm në një emision televiziv, garantoi se zgjedhja e presidentit të ri do të jetë zgjedhje kushtetuese dhe në përputhje të plotë me të. “Presidenti do të zgjidhet me Kushtetutë dhe do të jetë kandidat i maxhorancës”, tha Berisha.

Duke u shprehur se ky vend nuk mund të bëhet nëse nuk konsolidojmë kushtetutën e tij, Berisha kujtoi se  ndryshimet në Kushtetutë u bënë në marrëveshje me kreun e opozitës, Edi Rama, ku u ra dakort që presidenti të zgjidhet me formulën 50 +1.

Berisha tha se “nuk mund ta bëjmë presidentin pre të ambicieve politike dhe t’a fusim vendin në zgjedhje” dhe duke konsideruar që “politika është dallim”, vlerësoi se “Kushtetuta është demokratike dhe kjo do të respektohet”.

Kryeministri e konsideroi të vonuar deklaratën e presidentit Topi për mosrikandidim. “Ajo vjen pas dy javësh ku u bëra të qartë shqiptarëve se ai nuk do të jetë më president. Kjo deklaratë do ishte më mirë të vinte tre javë më parë, por si i thonë, më mirë vonë se kurrë”, tha Berisha.

Sipas tij, zoti Topi, gjatë presidencës së tij, ka ndërmarrë një sërë aktesh të papajtueshme me programin e Partisë Demokratike, ka shkelur disa nga parimet e mëdha programore të saj, duke përmendur ketu refuzimin e ligjit të lustracionit, implikimin në ngjarjet e 21 janarit dhe një sëri qëndrimesh të tjera, të cilat i konsideroi “absolutisht pa asnjë bazë”.

Kryeministri u shpreh se “aktualisht presidenca po deinstitucionalizon institucionin në një partiçkë të vogël, gjë që nuk ka ndodhur në historinë e ndonjë vendi”, e që e shfrytëzon duke dëmtuar thelbin e vetë funksionit të kreut të shtetit.

Kryeministri kujtoi se “de fakto dhe de jure, Këshilli i Lartë i Drejtësisë është liria e drejtësisë, ekzekutivi që emëron e shkarkon, një pushtet që duhet te jetë tërësisht i pavarur, por që sot po sundohet nga një partiçkë e vogël, që e provoi veten në regjistrim, partia faqezi, sharlatane dhe morën përgjigjen me censusin e vendit”.

Duke e konsideruar si periudhë të shkurtër kohën që institucioni i Presidencës do të vendoset në kushtetueshmëri të plotë, Berisha kritikoi përgjegjësinë që ka Presidenca për situatën ku ndodhet sistemi i Drejtësisë.

“Mendoj se përgjegjësitë për situatën aktuale të drejtësisë në këtë sistem janë para dhe mbi të gjitha të qeverisjes së drejtësisë së KLD-së. Ky institucion, sipas dokumentave ndërkombëtare, ka përgjegjësi të madhe për situtatën aktuale të sistemit të drejtësisë. Kushtetua është ligj i shkëlqyer, ligjet janë shumë të mira, por rasti është i paprecedent”, tha Berisha.

Treguesit e fundit të Censusit, Berisha i vlerësoi si “proces madhor”. Në këto 10 vjet Shqipëria ka shumëfishuar klasën e mesme mbi 6 herë dhe kjo është arritje e jashtëzakonshme.

“Ky sistem që ne ndërtojmë, bazohet tërësisht në klasën e mesme që lufton varfërinë. Shqipëria ka 740 mijë familje ku 300 mijë kanë nga më shumë se një banesë. Brenda 10 viteve janë ndërtuar 280 mijë banesa, shumë më shumë nga sa ishin ndërtuar gjatë mbretërisë dhe diktaturës të marra së bashku. Pra, njerëzit po ndërtojnë vertet një të ardhme dhe ky është censusi, se do te ketë dhe shumë tregues të tjerë”, tha Berisha. (LajmeShqip.com)