Lajme Shqip Monday, 22 August 2011 19:00

Tiranë – Kryeministri Berisha përshëndeti sot rënien e Tripolit, kryeqytetit të Libisë, nga sulmi i gjithanshëm i luftëtarëve të opozitës, “duke shënuar kështu fundin e regjimit diktatorial, shtypës, gjysmë shekullor të Muhamer Gedafit dhe një fitore historike për popullin libian, NATO-n, vendet anëtare dhe miqtë e tjerë të lirisë së tij, në mbarë botën”.

Në një deklaratë për shtyp Kryeministri Berisha tha se “shqiptarët që kanë përjetuar për rreth gjysmë shekulli regjimin më barbar në Europën e pasluftës së Dytë Botërore të diktatorit gjakatar Enver Hoxhës, ndajnë me popullin mik libian kënaqësinë e kësaj fitoreje të madhe që shënon për libianët daljen nga epoka e shtypjes dhe terrorit shtetëror dhe hapjen e rrugës për ndërtimin në liri të shtetit ligjor, të bazuar në respektimin e lirive dhe të drejtave themelore të individit, barazinë para ligjit, epërsinë morale të pajtimit kombëtar si kushte sine qua non, për një të ardhme të ndritur që qytetarët libianë meritojnë”.

Ndërkohë, edhe Ministria e Punëve të Jashtme e Shqipërisë përgëzon “popullin e Libisë në këto momente historike, që shënojnë fundin e regjimit diktatorial të Gadafit dhe fillimin e një epoke të re të lirisë, demokracisë dhe prosperitetit”.

Në një deklaratë të Ministrisë së Punëve të Jashtme për zhvillimet në Libi theksohet se “Shqipëria dhe populli shqiptar kanë mbështetur kauzën e drejtë të popullit libian, duke u rreshtuar në frontin e miqve të Libisë”.

“Republika e Shqipërisë do të vazhdojë të mbështesë Libinë në rrugën e saj të ndërtimit të demokracisë, si dhe shpreh gatishmërine e plotë për të  forcuar marrëdhëniet mes dy vendeve”, theksohet në deklaratën e MPJ-së.