Lajme Shqip Sunday, 20 March 2011 14:28

Tiranë – Kryeministri Sali Berisha përshëndeti, të dielën, vendimin e koalicionit ndërkombëtar për fillimin e operacioneve ushtarake ajrore, në mbështetje të Rezolutës 1973, të Këshillit të Sigurimit dhe kërkesës së Lidhjes Arabe për t’i mbrojtur civilët libianë prej sulmeve të regjimit të Gadafit, që kanë shkaktuar qindra viktima.
Përmes një deklarate për shtyp, kreu i qeverisë shqiptare vlerëson se “këto operacione, në zbatim të ligjit dhe të drejtës ndërkombëtare, janë plotësisht legale dhe legjitime dhe kanë si qëllim kryesor mbrojtjen nga sulmet e egra të regjimit të Gadafit të jetës së qytetarëve libianë, lirive dhe të drejtave universale që ata meritojnë, mundësisë për të përcaktuar, me vullnetin e lirë, fatin e tyre”.
Sipas tij “këto veprime janë një kontribut historik për liritë, të drejtat, dinjitetin e kombit arab, që u ngrit fuqishëm dhe në një hark kohor të shkurtër përmbysi, në Tunizi dhe Egjipt, dy regjime që qëndruan me dekada në pushtet, në kundërshtim me vullnetin e popullit të tyre”.
“Ne, shqiptarët, në 20-vjetorin e shëmbjes së Benalive dhe Gadafëve të Shqipërisë, që e sunduan këtë vend me dhunë dhe terror për pothuaj gjysëm shekulli, i mirëkuptojnë më shumë se të tjerët, aspiratat e kombit arab për liri dhe dinjitet dhe e vlerësojnë lart çdo ndihmë ndërkombëtare ndaj tij. Shqipëria mbetet e gatshme t’ia ofrojë lehtësitë e nevojshme koalicionit ndërkombëtar në misionin e tij shumë të rëndësishëm për lirinë, paqen dhe stabilitetin në Mesdhe”, përfundon deklarata e Kryeministrit Berisha.