Lajme Shqip Monday, 22 August 2011 18:27

Tiranë – Ministri i Mbrojtjes Fatmir Besimi është pritur të hënën nga kryeministri shqiptar Sali Berisha. Ai ka shfrytëzuar rastin për t’i përcjellë kryeministrit Gruevski dhe kryetarit të BDI-së Ali Ahmeti përshëndetjet më të përzemërta për qeverinë e re dhe suksese në misionin e saj.

Në takim janë vlerësuar marrëdhëniet shumë të mira politike midis dy vendeve dhe është ritheksuar vendosmëria dhe angazhimi i të dy qeverive e vendeve për të ndërtuar infrastrukturën më të mirë ligjore dhe rrugore për të zgjeruar e thelluar bashkëpunimin në të gjitha fushat.

Për sa i përket bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes, ministri Fatmir Besimi është shprehur shumë i lumtur dhe krenar që vizitën e tij të parë zyrtare e zhvillon në Shqipëri, vend i NATO-s dhe shembull frymëzues për të gjitha vendet e rajonit që aspirojnë anëtarësimin në Aleancën e Atlantikut të Veriut.

Madje, kryeministri Berisha ka rikonfirmuar mbështetjen e plotë të Shqipërisë për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO dhe, duke vlerësuar faktin që Maqedonia ka plotësuar kriteret ushtarake dhe të tjera për tu bërë vend anëtar i Aleancës, uroi gjetjen e një zgjidhje midis të dy vendeve fqinje e mike për çështjen e emrit, në mënyrë që t’i hapet rruga anëtarësimit të plotë të Maqedonisë në NATO.

Në takim është diskutuar edhe për zhvillimet e fundit në rajon, duke u ndalur në zhvillimet në Kosovë. Kryeministri Berisha bile rishprehu mirënjohjen e tij dhe të qeverisë shqiptare për qëndrimin që qeveria maqedonase mbajti ndaj zhvillimeve të fundit në veri të Kosovës, duke theksuar se respektimi rigoroz i kufijve aktual në rajon, konsolidimi i shtetit të së drejtës në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës është një kusht themelor për stabilitet dhe siguri në rajon, si dhe për luftën e suksesshme ndaj krimit e trafiqeve të paligjshme.

Gjithashtu, është rikonfirmuar se e ardhmja evropiane dhe euroatlantike e rajonit është dhe mbetet projekti më i shkëlqyer për të ardhmen e popujve të këtyre vendeve, paqes, sigurisë dhe bashkëpunimit në rajon. Në këtë kontekst, ministri Besimi ka informuar kryeministrin Berisha se edhe qeveria maqedonase është duke punuar për projektin e segmentit hekurudhor me qëllim mundësimin e lidhjes me infrastrukturë hekurudhore midis të dy vendeve, si edhe ka parashikuar në programin e saj për këtë mandat projekte rrugore për bërë të mundur lidhjen me rrugën e Arbrit, e cila është duke u ndërtuar në Shqipëri, duke bërë të mundur kështu që distanca ndërmjet dy kryeqyteteve të shkurtohet.

Në takim u vlerësua edhe rëndësia jetike e Korridorit 8 për bashkëpunimin midis dy vendeve, por dhe atë rajonal. (LajmeShqip.com)