Lajme Shqip Tuesday, 16 August 2011 08:10

Tiranë – Kryeministri Sali Berisha deklaroi mbrëmë se raporti final i OSBE/ODIHR-it për zgjedhjet e 8 majit në Shqipëri, nuk përmend në asnjë rast probleme të Kushtetutës së Shqipërisë.

Gjatë një konference për shtyp, ku përshëndeti publikimin e këtij raporti, Berisha tha se “Kushtetuta e këtij kombi është tërësisht demokratike”.

“Raporti ka vetëm një sugjerim ku thuhet se mund të konsiderohet ndryshimi i përbërjes së KQZ-së, por ky është vetëm sugjerim. Unë pranoj pikë për pikë të gjitha rekomandimet, si të 2009 dhe 2011, dhe ftoj Edi Ramën që të hartojmë Kodin Zgjehdor mbi bazën e këtyre rekomandimeve”, tha Berisha.

Ai siguroi se “në këto rekomandime nuk ka asnjë lloj anësimi partiak, por ato kanë si qëllim kryesor konsolidimin e standardeve ndërkombëtare të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme në vend”.

Duke komentuar kërkesën e opozitës për ndryshime kushtetuese, Berisha tha se “nuk do të kishte gjë më të rëndë për vendin se sa të ndryshohej Kushtetuta për interesin e një njeriu”.

“Kushtetuta nuk mund të ndryshohet kurrë në këtë mënyrë. Do të ishte qesharake dhe jo serioze për një vend, nëse do të tallej me themelin e shtetit të tij, Kushtetutën. Nuk ka asnjë arsye se përse duhet të ndryshohet neni për zgjedhjen e Presidentit, i cili më parë ishte një nen krize për Shqipërinë. Nuk bëhet fjalë ndonjëherë që PD të vendosë një nen kushtetues që të çojë vendin në zgjedhje sa herë që t’u teket të tjerëve”, tha Berisha, ndërsa shtoi se është gjithashtu kundër zgjedhjes së Presidentit nga populli.

Sipas tij, në një Republikë parlamentare, Presidenti duhet të zgjidhet vetëm nga parlamenti.