Lajme Shqip Tuesday, 21 February 2012 11:17

Tiranë- Shqipëria do të vazhdojë të japë kontributin e saj në misionet paqeruajtëse të NATO-s në Afganistan. Një ditë pas ngjarjes së rëndë në Kandahar, kur pas një sulmi të papritur ndaj një njësie me ushtarakë shqiptarë mbeti i vrarë oficeri Feti Vogli, ndërsa ushtaraku Aleksandër Peci ndodhet në gjendje kome, kryeministri Sali Berisha konfirmoi vendosmërinë e qeverisë shqiptare për të vazhduar të kontribuojë për paqen në Afganistan.

“Kjo ishte një ngjarje e dhimbshme për familjet, Forcat e Armatosura Shqiptare dhe vendin në tërësi. Por, ne mbetemi të vendosur të vazhdojmë të japim kontributin tonë në këtë vend, paqja dhe stabiliteti i të cilit është me rëndësi për Europën dhe botën”, u shpreh kryeministri, gjatë fjalës së mbajtur në konferencën e dytë kombëtare ‘Për shoqërinë e informacionit”.

Deklarata e tij u bë pas ngushëllimeve të shprehura nga ambasadori i BE-së në Tiranë, Ettore Sequi, i cili, gjatë pranisë në këtë konferencë, shprehu keqardhjen për ngjarjen e ndodhur një ditë më parë. (LajmeShqip.com)