Lajme Shqip Tuesday, 21 February 2012 01:33

Kryeministri Sali Berisha ka shprehur ngushëllimet e tij për familjen e Feti Voglit, i vrarë të hënën në Afganistan.

Berisha tha se ishte informuar për reagimin e menjëhershëm dhe të vendosur të njësisë shqiptaro- amerikane. Më poshtë njoftimi i kryeministrisë:

“Kryeministri Berisha i shpreh ngushëllimet më të thella familjes së kapiten Feti Voglit, i cili ra në krye të detyrës, në Kandahar, Afganistan, në përmbushje të misionit të tij fisnik dhe të detyrimeve të Shqipërisë si vend anëtar i Aleancës së Atlantikut të Veriut. Ai sot ju mungon juve, vëllezërve të armëve, me të cilët luftoi në Kandahar, Forcave tona të Armatosura dhe kombit që e nisën në këtë mision të rëndësishëm paqeje. Vepra dhe kujtimi tij do të nderohet gjithmonë. Shpirti i tij do të prehet në altarin e lirisë së kombit shqiptar dhe kombit afgan, për të cilën flijoi jetën e tij.

Kryeministri Berisha, gjithashtu, ishte në Ministrinë e Mbrojtjes, ku u informua nga Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Gjeneral Xhemal Gjunkshi dhe ministri i Mbrojtjes Arben Imami, mbi ngjarjen dhe rrethanat, në të cilat Kapiten Vogli ra në krye të detyrës dhe nëntetar Aleksandër Peçi u plagos rëndë, si dhe reagimin e menjëhershëm e të vendosur të njësisë luftarake të përbashkët shqiptaro-amerikane ndaj sulmit të pabesë.

Kryeministri Berisha i telefonoi Komandantit të Njësisë, Kolonel Behar Mara, ku i shprehu atij dhe të gjithë efektivit ngushëllimet për rënien si burrat në krye të detyrës të Kapiten Voglit, në përmbushje të një misioni fisnik, në kuadrin e Forcave të Aleancës së Atlantikut të Veriut, në Afganistan. Kryeministri u shprehu ngushëllimet të gjithë ushtarakëve tanë në Kandahar, si dhe mbështetjen e plotë të tij, të qeverisë shqiptare dhe mbarë shqiptarëve, në këto çaste shumë të dhimbshme për familjen Vogli, për shokët e armëve të Kapiten Voglit dhe shqiptarët në tërësi.

Kolonel Mara e falenderoi Kryeministrin për telefonatën dhe e siguroi atë se trupat shqiptare në Kandahar, ndonëse përjetojnë me dhimbje të madhe rënien në krye të detyrës të vëllait të tyre, Kapiten Voglit, qëndrojnë më të vendosur se kurrë që krah për krah me ushtarakët amerikanë të përmbushin çdo detyrë që do t’u ngarkohet, në interes të paqes e stabilitetit.

Komandanti i ISAF, Gjenerali John Allen i telefonoi Kryeministrit Berisha dhe i shprehu ngushëllimet për Kapiten Voglin që ra burrërisht në krye të detyrës, si dhe vlerësimet më të mëdha për ushtarakët shqiptarë, virtytet dhe aftësinë e tyre, në përmbushjen e detyrave në zona të ndryshme të Afganistanit. Komandant Allen i kërkoi Kryeministrit t’i përcjellë ngushëllimet e tij familjes së Kapiten Voglit.

Gjeneral Allen e siguroi Kryeministrin se do të bëhet gjithçka që autorët e këtij akti të marrin ndëshkimin e merituar ligjor.

Kryeministri Berisha, nga ana e tij, e falenderoi Gjeneral Allen për telefonatën dhe ngushëllimet dhe e siguroi atë se Forcat e Armatosura të Shqipërisë dhe qeveria shqiptare kanë besim të madh se trupat e ISAF, nën komandën e Gjeneralit Allen, do të përmbushin me sukses të gjitha detyrimet e misionit të tyre historik dhe se Shqipëria është e vendosur të japë kontributin e saj në këtë mision.

Kryeministri Berisha i uron shërim Nëntetarit Aleksandër Peçi, i cili u plagos në krye të detyrës dhe që aktualisht ndodhet në gjendje kritike.”