Lajme Shqip Tuesday, 22 November 2011 10:35

– Kryeministri Berisha takon kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu –

Tiranë – Në ditën e dytë të vizitës së tij në Izrael, Kryeministri Sali Berisha u takua me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu.

Kryeministri Netanyahu e falënderoi Kryeministrin Berisha për qëndrimin konsistent të qeverisë shqiptare në shërbim të paqes e stabilitetit në rajon.

Në takim u vlerësua miqësia midis të dy popujve, e cila më shumë se kurrë doli në pah gjatë Luftës së Dytë Botërore, kur shqiptaret nuk i dorëzuan hebrenjtë e Shqipërisë dhe ata që gjetën strehë aty, por i mbrojtën duke vënë edhe jetën e familjeve të tyre në rrezik.

Kryeministri Berisha e falënderoi Kryeministrin Netanyahu për vendosmërinë e palëkundur që gjeti në të gjitha takimet me personalitetet më të larta të shtetit të Izraelit, për konsolidimin e mëtejshëm të marrëdhënieve shumë të mira politike midis të dy qeverive dhe vendeve, si edhe për të zgjeruar bashkëpunimin në të gjitha fushat.

Më tej, të dy Kryeministrat diskutuan për reformat e qeverive respektive dhe zhvillimet në të gjitha fushat, si në Shqipëri ashtu edhe në Izrael.

Kryeministri Berisha informoi gjithashtu mbi arritjet e rëndësishme të qeverisë shqiptare në fushën e reduktimit të barrës fiskale ndaj biznesit dhe të një qeverisjeje të vogël e pa barriera burokratike, veprat e mëdha të infrastrukturës rrugore, në fushën e energjetikës, reformat e rëndësishme ekonomike e fiskale, arritjet në fushën e arsimit etj.

Kryeministri Netanyahu shprehu vlerësimin e tij të lartë për transformimin e Shqipërisë nga një ndër vendet më të varfra, me të ardhura rreth 204 dollarë për frymë, në një vend me të ardhura të mesme të larta dhe suksesin e politikave të privatizimit.

Kryeministri Netanyahu shprehu angazhimin e plotë të Izraelit për të bashkëpunuar ngushtësisht me qeverinë shqiptare me projekte konkrete në të gjitha fushat. “Në veçanti, presim me padurim të bashkëpunojmë ngushtësisht, duke inkurajuar projekte investimesh izraelite në Shqipëri, në fushën e turizmit, por edhe në atë të teknologjisë e shkencës “, u shpreh Kryeministri Netanyahu.

Në takim u evidentuan fusha të tjera, ku u rikonfirmua vullneti për projekte konkrete të bashkëpunimit si ajo e arsimit dhe kërkimit akademik, teknologjisë së informacionit, bujqësisë, përfshi projektet e ullirit dhe arrorëve, sistemit të ujitjes dhe shfrytëzimit të ujërave, ndërtimi i veprave të prodhimit të energjisë hidrike e të rinovueshme, në fushën e minierave etj..

Kryeministri Netanyahu e siguroi Kryeministrin Berisha se qeveria e Izraelit do të inkurajojë sektorin privat të biznesit të suksesshëm izraelit të vijë të investojë në Shqipëri, duke shfrytëzuar klimën jashtëzakonisht të favorshme të krijuar nga qeveria shqiptare për biznes e investime.

Po ashtu, të dy Kryeministrat ranë dakord për shkëmbimin e përvojave dhe ekspertizës mes të dy vendeve në fushat me interes reciprok. Më tej, të dy Kryeministrat diskutuan gjerësisht për zhvillimet në rajon e më gjerë.

Kryeministri Berisha shfrytëzoi rastin për t’i përcjellë Kryeministrit Netanyahu ftesën për të vizituar Shqipërinë, ftesë e cila u mirëprit nga homologu izraelit. Për nder të Kryeministrit Berisha dhe delegacionit që e shoqëronte, Kryeministri Netanyahu shtroi një darkë, e cila kaloi në një atmosferë shumë të ngrohtë e miqësore.