Lajme Shqip Wednesday, 07 December 2011 19:25

Marsejë-Mosmarrja e statusit të vendit kandidat për në BE erdhi për shkak të qëndrimeve të opozitës. Me këto fjalë kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha, ka fajësuar opozitën për refuzimin që KE i bëri Shqipërisë për dhënien e statusit.

“Dështimi i marrjes së statusit të kandidatit erdhi si pasojë e qëndrimeve të opozitës. Opozita nuk votoi në Kuvend ligjet që kërkonin 3/5 e votave”- tha Berisha duke folur në samitin e Partive Popullore Evropiane që po mbahet në Marsejë të Francës.

Gjatë fjalës së tij, Berisha akuzoi liderin e Partisë Socialiste Edi Rama si shkaktar të bllokimit të procesit të integrimit. “Lideri i opozites qëllimisht nuk njohu rezultatin e zgjedhjeve të fundit, duke mos votuar në kuvend ligje të rëndësishme dhe duke bllokuar kësisoj reformat dhe dhënien e statusit kandidat për në BE-tha Berisha.

Më tej, kryeministri ka bërë një pasqyrë të arritjeve që sipas tij Shqipëria ka bërë në 20 vitet e fundit, duke e vënë theksin tek demokracia dhe vota e lirë.

“Në 20 vitet e fundit Shqipëria ka parë ndryshime të mëdha. Të ardhurat e mbledhura nga doganat janë dyfishuar në vitet e fundit. Zgjedhjet e vitit 2011 në Shqipëri janë cilësuar nga OSBE si më të mirat”, ka pohuar Berisha.

Në fund Berisha ka falenderuar edhe NATO-n për kontributin e dhënë në Kosovë dhe Libi, duke thënë se edhe sirianët kanë nevojë për ndihmën e Aleancës së Atlantikut të Veriut, çka nënkupton se kryeministri i Shqipërisë mbështet një ndërhyrje të mundshme të NATO-s në Siri, ashtu siç ndodhi në Libi. (LajmeShqip.com)