Lajme Shqip Sunday, 12 February 2012 14:10

Kryeministri Sali Berisha shprehu sot nga Kukësi angazhimin total të qeverisë për situatën e vështirë të krijuar nga moti i keq, me reshje dëborë, në zonën veriore, verilindore dhe atë juglindore. 
Në mbledhjne e Komitetit Ndërministror të Emergjencës, të zhvilluar në Prefekturën e Kukësit, Berisha tha se “ka kohë që reshje në sasi të tilla nuk janë parë edhe në këtë zonë. Pasojat e këtyre reshjeve, që janë të vazhdueshme kanë krijuar vështirësi për banorët e zonës veriore, verilindore dhe juglindore. Është një dimër ndër më të mëdhenjtë dhe me agresivitet të madh, që ka përfshirë dhe Evropën”. 
Duke u ndalur tek problemet e krijuara në zonë, Berisha tha se “në Shqipëri janë krijuar probleme veçanërisht nga dita e djeshme. Dëbora ka bllokuar rrugët, ka humbur jetën dhe një shtetas si pasojë e ngricave”.
Kryeministri i shprehu ngushëllime familjes Qarri për humbjen e njeriut të tyre të dashur, ndërsa theksoi se “duhet të bëjmë gjithçka për mbrojtjen e jetës, pasi pasojat e borës kërkojnë angazhimin total të qeverisë”. 
Berisha kërkoi nga kryetarët e komunave identifikimin e familjeve me rrezik të lartë dhe dhënien e ndihmës së tyre sa më shpejt ndërsa u bëri thirrje qytetarëve për solidaritet për kapërcimin e pasojave të këtij dimri. 
Berisha përmendi gjithashtu dhe faktin që një nënë e re nga Kolosjani është transportuar për të lindur. “Është e domosdoshme që qendrat shëndetësore të jenë të parat për furnizim me medikamente dhe të vendoset mami pranë tyre”. 
Kryeministri Berisha theksoi që  “është situata që qeveria të shpallë gjendjen e emergjencës civile, pasi për eleminimin e pasojave duhen mjete më të mëdha”. 
Berisha kërkoi gjithashtu që në çdo moment helikopterët të jenë në gatishmëri të plotë, nga ushtria që të merret rol kryesor dhe repartet e saj të vendosen në zonat më problematike. 
Prefekti Elez Maçi bëri një rezume të situates në fillim të takimit, duke theksuar se të gjitha rrugët janë të bllokuara veç autostradës Kukës-Morinë. 
Në takim ishin të pranishëm 5 ministra, ai i Brendshëm, i Shëndetësisë, i Transporteve, i Mjedisit dhe Arsimit.