Lajme Shqip Monday, 08 October 2012 14:09

TIRANË -“Kriza në zonën euro, si Shqipëria në vitin e skemave piramidale. Por, fajtore për krizën tek ju është elita bankare”, kështu deklaroi sot Kryeministri Berisha në Strasburg, ku mori pjesë në Forumin Ndërkombëtar për Demokracinë, që zhvillohet nga Këshilli i Evropës. 

“Tema që po diskutojmë sot është shumë e rëndësishme, lidhet me faktin “A kanë nevojë tregjet për demokracinë dhe anasjelltas?”, tha Berisha duke sjellë shembuj me Shqipërinë.

“Po ilustroj rastin me Shqipërinë, jo se jemi vend i madh, apo se ka ekonomi. Miq, Shqipëria është rast unik, se 20 vite më parë, që sapo doli nga regjimi komunist, respektohen liritë fetare. 20 vite më parë, një vend i cili e ka vendin në zemër të Europës, ne ishim një ndër 3 vendet më të varfra në botë. …Vendi im është hasur me një ndër krizat më të këqija siç ishin skemat primaidale, ku shqiptarët humbën të gjithë kursimet e tyre. Ajo çka ndodhi më pas ishte një vakuum i tmerrshëm. Është shumë e rëndësishme që tregjet të zhvillohen në mënyrë të shëndetshme. Por ne kemi punuar për një kuadër ligjor të shëndetshëm, se pas 20 vitesh nuk ishte radha jonë për një krizë financiare, por e vendeve të tjera. Dhe kjo krizë ishte njësoj si Shqipëria në vitin ’97 që vuajti nga skemat piramidale”.

Sipas kreut të Qeverisë shqiptare, kriza financiare në zonën euro ndodhi për një arsye.
“Kjo krizë ndodhi se elita bankare ka minuar ligjet ka vënë në heshtje bordet dhe mbrojnë interesat e tyre ambicioze”.

Berisha vlerëson se edhe pse demokracia vlerësohet jetike, ky sistem mund të sjellë prishje në treg.
“Demokracia është jetike, por nëse do shohim veprimet e saj, demokracia mund të sjellë disa prishje të tregut. Jemi këtu mes rajoneve më të begata, por, 15% të vendeve po përballojnë faturën sociale të botës. A është i mbingarkuar tregu në këtë rast dhe problemi që shtrohet është që Qeveritë e elitave duhet të marrin përsipër reforma shumë serioze”. 

Berisha theksoi se Shqipëria në këto 20 vite ka bërë progres. Ekonomia e Shqipërisë nuk u prek nga recesioni, ndërsa investimet e huaja në Shqipëri janë rritur ndjeshëm.

“Shqipëria ka bërë progrese të mëdha gjatë këtyre 20 viteve demokraci, duke u renditur ndër vendet me rritje ekonomike 4 herë më të lartë se disa nga vendet e rajonit, ku disa prej tyre kanë rënë në recesion”, tha Berisha. 

Kryeministri shqiptar u shpreh se ‘kjo e sotmja një krizë e cila dëshmon që sistemi demokraci nuk ka funksionuar. Sistemi ka potencial dhe personalisht unë mendoj se vënia në pikëpyetje është e gabuar”.

Kreu qeverisë foli gjithashtu edhe mbi arritjet në strehim, arsim dhe shëndetësi. “Shqiptarët, në vitin 2001 kishin banesa për 1000 banorë me pak se secili komb evropian në vitin ’80. Shqiptarët, në vitin 2011, lënë pas në banesa për 1000 banorë, 5 kombe anëtare të BE-së dhe anëtare të OECD-së. Shqiptarët nuk kanë sot një nga sistemet shëndetësore me cilësi më të lartë, por kanë një nga sistemet shëndetësore me akses më të lehtë. Renditen të tretët në Evropë për sa i përket aksesit të lehtë në sistemin shëndetësor. Shqiptarët trashëguan një prapambetje të qartë në arsimin e lartë dhe pësuan një rënie të madhe në arsim. Sot, niveli arsimor ëshë rritur ndjeshëm”, tha Berisha.

Ky forum, i cili zhvillohet në periudhën 5-11 tetor, do të trajtojë një seri temash mbi demokracinë dhe të ardhmen e saj si “Modelet e vjetra dhe realitetet e reja”, “Të rinjtë dhe demokracia”’, “Demokracia gjithëpërfshirëse”, “Vlerat Universale, Sfidat Globale dhe Realitetet Rajonale”. Në këtë forum merr pjesë edhe Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli.

Gjithashtu, në këtë forum marrin pjesë personalitete të shquara të politikës, ekonomisë, shoqërisë civile, drejtësisë etj, nga Evropa dhe mbarë bota, si Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara Ban Ki-Moon, Presidenti i Asamblesë Parlamentare të KiE-së Jean-Claude Mignon, Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Europës Thorbjørn Jagland, President i Parlamentit Evropian Martin Schultz, Ministri i Financave të Gjermanisë Wolfgang Achauble, etj. (LajmeShqip.com)