Lajme Shqip Tuesday, 29 November 2011 11:51

Tiranë-Kryeministri Berisha priti të hënën në mbrëmje 45 konsujt e Nderit të Republikës së Shqipërisë nëpër botë, që erdhën në Shqipëri për të marrë pjesë në festimet e Ditës së Pavarësisë.

Zyra e shtypit e Qeverisë bëri të ditur se gjatë pritjes koktej, të dhënë në Kryeministri në nder të tyre, Kryeministri Berisha u shprehu falënderimet për përfaqësimin që ata i bëjnë Shqipërisë dhe imazhit të saj në vendet e tyre, duke i ftuar të intensifikojmë përpjekjet e përbashkëta për të arritur qëllimin më madhor, Shqipërinë vend i zhvilluar.   

Në fjalën e tij, Kryeministri Berisha, duke shprehur mirënjohjen për punën e Konsujve të Nderit, u shpreh se “është koha të përshpejtojmë zhvillimin e Shqipërisë, është koha të shfrytëzojmë të gjitha potencialet e saj.

Shqipëria po adopton një politikë të jashtme paqeje, stabiliteti dhe bashkëpunimi dhe po punon në rajon për integrimin rajonal, si një proces kyç për të kaluar vështirësitë e së kaluarës. Shqipëria është tashmë anëtare e NATO-s dhe po bën më të mirën për të përmbushur të gjitha detyrimet”.

Berisha tha se “prioriteti kryesor për vendin është integrimi në Bashkimin Europian. Në të gjitha përpjekjet tona, ne besojmë se procesi i integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian duhet të jetë një proces tërësisht i bazuar në përformancë”.

Kryeministri bëri të ditur se “19 vjet më parë Shqipëria ishte vendi i tretë apo i katërt më i varfër në botë. Ne e filluam këtë udhëtim si një vend me 204 dollarë të ardhura për frymë dhe tani qëndrojmë në grupin e vendeve me të ardhura mesatare të larta, tani jemi një vend me mbi 8000 dollarë të ardhura për frymë.

Shqipëria ishte vendi më i kolektivizuar në botë. Sot, Shqipëria është një nga vendet më privatë në botë. Qeveria e Shqipërisë qëndron mes 10 qeverive më të vogla në planet. Shqipëria po e bazon zhvillimin e saj plotësisht mbi iniciativën e lirë, duke shfrytëzuar liritë”. 

Ne jemi përpjekur të krijojmë në këtë vend klimën më të mirë për bizneset dhe investitorët, tha Kryeministri Berisha. “Disa indekse në këtë aspekt tregojnë se ka progres, ndërkohë që në botë investimet e huaja direkte për periudhën 2007-2010 u zvogëluan me 37për qind, në Shqipëri, investimet e huaja direkte për periudhën 2006-2010 u rritën me 316 për qind.

Eksportet në vend për periudhën 2006-2011 u rritën me 300 për qind. Ne nuk e njohëm recesionin ekonomik. Sigurisht u përballëm me pasojat e krizës ekonomike globale dhe europiane, por në vend nuk u zhvillua asnjë recension ekonomik. Liritë ekonomike në botë vitin e kaluar u ngadalësuan, ndërsa në Shqipëri u rritën me 16 për qind”, tha kryeministri.

Kreu i Ekzekutivit vuri në dukje se po punojmë shumë që të përmirësojmë klimën e biznesit në vend. “Ne vendosëm një nga sistemet më barrën më të ulët fiskale në Europë dhe më gjerë – taksa e sheshtë prej 10 për qind, kontributet e sigurimeve shoqërore prej 15 për qind, hoqëm shumë tarifa dhe studimet serioze tregojnë se qeveria shqiptare i përket grupit të 10 vendeve me ndërhyrjen më të vogël të qeverisë në drejtim të biznesit, çka është shumë e mirë”, tha Kryeministri Berisha.