Lajme Shqip Wednesday, 23 November 2011 14:20

Tiranë – Kryeministri Sali Berisha gjatë qëndrimit në Tel Aviv pati një takim të ngrohtë e mbresëlënës me anëtarët e Shoqatës së Miqësisë Shqipëri-Izrael, njoftoi zyra për shtyp e Kryeministrisë.

Një moment i veçantë i takimit për Kryeministrin Berisha ishte dhënia e titullit Anëtar Nderi i kësaj Shoqate, me motivacionin “Për kontribut të jashtëzakonshëm në forcimin e miqësisë e bashkëpunimit midis shtetit të Izraelit dhe Republikës së Shqipërisë, si dhe mbështetjen e vazhdueshme ndaj popullit të Izraelit”.

Kryeministri Berisha u shprehu mirënjohjen anëtarëve të kësaj shoqate për përfaqësimin që ata i kanë bërë Shqipërisë në këto 20 vjet, duke u shndërruar në ambasadorët më të mirë të saj në këtë vend dhe i ftoi të intensifikonin përpjekjet për të orientuar biznesin izraelit të investojë në Shqipëri.

Duke i falënderuar përzemërsisht për titullin e akorduar, Kryeministri u uroi 28 nëntorin, ditën e pavarësisë, duke e ftuar Shoqatën e tyre të përfaqësohet në festimet e 100 vjetorit të pavarësisë, vitin e ardhshëm.

“Së pari, dëshiroj t’ju përshëndes shumë përzemërsisht dhe me shumë mirënjohje që gjatë këtyre 20 viteve që jetoni këtu keni qenë ambasadorë të shkëlqyer të Shqipërisë dhe shqiptarëve në këtë vend dhe komb mik. Por dua të falënderoj edhe të gjithë qytetarët shqiptaro-hebrenj që u larguan nga Shqipëria pas hapjes së vendit dhe sot, kudo që janë, në SHBA e vende të tjera, kanë po këto ndjenja të zjarrta që keni ju për Shqipërinë dhe shqiptarët dhe janë avokatë të shkëlqyer, ambasadorë të mrekullueshëm të Shqipërisë dhe shqiptarëve”, tha Berisha.

Duke folur mbi takimet që pati gjatë vizitës së tij kryeministri shtoi se “Kryeministri i Izraelit, Netanjahu, më premtoi se do të vijë së shpejti në Shqipëri me një delegacion të fuqishëm biznesmenësh, më garantoi se qeveria e tij do të bëje gjithçka për të nxitur, inkurajuar e mbështetur investimet izraelite në Shqipëri. Ministri i Turizmit, gjithashtu, më tha se do të vijë e të studiojë të gjitha mundësitë e shkëmbimeve turistike dhe investimeve në këtë fushë. Po kështu, ministri i Energjetikës dhe Infrastrukturës, zv/kryeministrat Meridor dhe Liberman dhe Kryetari i Parlamentit”.

“Lajmi më i gëzuar është se vitin e ardhshëm do të ketë një ambasadë të Izraelit në Tiranë dhe ky përbën një zhvillim jashtëzakonisht të rëndësishëm. Sigurisht, ky është një vendim politik, i cili merret në respekt të plotë të kombit shqiptar, por edhe të potencialeve reale që ofron sot Shqipëria”, tha Berisha.

Kryeministri garantoi se “do të bëjmë gjithçka që dy vendet e dy kombet tona të jenë gjithnjë e më afër e në bashkëpunim gjithnjë e më të madh”.

“Ne kemi një histori jo intensive në shkëmbime në të shkuarën, por e kemi simbolike të shkëlqyer. Sa herë që janë takuar kombet tona, janë takuar si miq dhe kjo është e vërteta. Të dy kombet kanë vuajtur, por në vitet e lirisë, Izraeli ka faktuar se ç’mund të bëjnë hebrenjtë e lirë. Këto 20 vite lirie, e vërteta është se shqiptarët kanë faktuar më shumë se të gjithë të tjerët se ç’mund të bëjnë ata, kur janë të lirë”, përfundoi Kryeministri Berisha.