Lajme Shqip Monday, 28 November 2011 20:16

Tiranë-Kryeministri Sali Berisha shpalli sonte në mbrëmje gjatë koncertit “Flaka e Jubileut”, të zhvilluar në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit në Tiranë, çeljen e vitit jubilar të 100 vjetorit të Pavarësisë.

“Shqiptarët kudo që janë, gëzuar festën e Pavarësisë së Shqipërisë”, uroi Kryeministri, duke çelur njëherazi siparin e vitit të 100 vjetorit të Pavarësisë dhe duke marrë në duar flakën e vitit jubilar.

“Shqiptarët sot kudo që ndodhen, janë të lirë. Shqiptarët sot kudo që janë po ndërtojnë të ardhmen e tyre në liri. Ndaj le të urojmë së bashku një vit të madh”, tha Berisha.

Ai tha se “viti i 100 vjetorit është viti i madh për ata burra e gra, djem dhe vajza që flijuan jetën dhe rininë  tyre që ne të jemi të lirë, që Shqipëria të mbetet përjetë e re. Është një mirënjohje ndaj miqve tanë, kudo që ndodhen, që në momente kritike për historinë kombëtare, qëndruan krah nesh dhe fituam.

Është një mirënjohje për gjithë ata shqiptarë, që nëpërmjet përpjekjeve të tyre këto 100 vite, bënë që Shqipëria të vijë në 100 vjetorin e saj më e bukur, më krenare, më e lirë se kurrë”.

“Viti i jubileut është viti i vizionit të ri për vendin, viti në të cilin Shqipëria dhe shqiptarët do të përcaktojnë si të ardhmen më të mirë, ëndrrën e vogëlushëve që lindin në këtë vit”, tha Kryeministri Sali Berisha.

Në koncertin ‘Flaka e Jubileut” morën pjesë personalitetet më të larta të vendit, Presidenti i Republikës Bamir Topi, Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli, Zv/Kryeministri dhe Ministri i Puneve të Jashtme, Edmond Haxinasto, si dhe ministra, deputetë dhe përfaqësues të trupit diplomatik në Shqipëri.