Lajme Shqip Saturday, 23 July 2011 16:53

Tiranë – Kryeministri Sali Berisha deklaroi sot se, maxhoranca është e hapur për dialog me opozitën, por sipas tij, asnjë nuk mund të dalë mbi Kushtetutën dhe ligjet e vendit.
Gjatë mbledhjes së Këshillit Kombëtar të PD-së, Berisha u shpreh se kryesocialisti po përdor pushtetin për bllokim.
‘Ne qëndrojmë të gatshëm për reforma e të hapur për dialog, por qëndrojmë të vendosur në zbatimin e ligjit dhe Kushtetutës së vendit”, deklaroi lideri i PD-së.
Kreu i ekzekutivit nënvizoi se “ne kemi moto kryesore reformat, frymëzim dhe projekt kryesor integrimin e vendit në BE”, ndërsa shtoi se “por ne nuk mund të udhëheqim opozitën”.
Gjithashtu shefi i qeverisë vlerësoi se “me vendimin e tij, KQZ nuk ndryshoi asnjë rregull të vetëm loje dhe ata që pretendojnë për këtë, le të tregojnë dokumentin se cili është ndryshuar”.
Duke u ndalur në procesin integrues të vendit, kryeministri u shpreh se, shqiptarët kudo që ndodhen, kanë fatin e madh të kenë para tyre projektin e integrimit në BE.
“Është ky projekt udhëheqës dhe frymëzues që do të realizojë në interesin më të mirë kombëtar të shqiptarëve bashkimin e tyre, çka do të thotë ideali kombëtar dhe europian po shkon drejt shkrirjes në interesin më të mirë kombëtar të shqiptarëve”, deklaroi Berisha.
Duke shprehur vendosmërinë për të zhdukur dallimet burokratike që ekzistojnë dhe njësimin e të gjitha praktikave dhe ligjeve me Kosovën por dhe me fqinjët tanë, Maqedoninë dhe Malin e Zi, kreu i ekzekutivit theksoi se “Shqipëria mbetet e vendosur në respektim të kufijëve aktual, si interesi më i mirë kombëtar”.
“Ata të cilët u paraqesin shqiptarëve gjatë 20 viteve, një degë të bashkimit për të cilën shqiptarët kanë sakrifikuar, ata duhet të kenë  parasysh se në interesin më të mirë kombëtar të shqiptarëve është bashkimi me Europën e bashkuar. Asnjë komb nuk ka humbur troje në mënyrë të tmerrshme, siç kanë humbur shqiptarët. Shqiptarët tokë nuk kanë për të humbur”, nënvizoi shefi i qeverisë.
Për koalicionin fitues, Berisha tha se përgjegjësitë janë të mëdha. “Projekti, Shqipëria vend i zhvilluar duhet të njohë nga këto zgjedhje horizonte të reja dhe kam besim të madh se ky projekt këto vite, do të ecë më shpejtësi më të madhe” u shpreh ai.
Gjithashtu, kryeministri Berisha përmendi disa nga arritjet e realizuara gjatë kësaj mazhorance qeverisëse si anëtarësimi në NATO apo liberaliizmi i vizave për qyetatrët shqiptarë, si dhe reformat e ndërmarra të cilët mundësuan që ekonomia shqiptare ti rezistojë krizës ekonomike europiane dhe botërore.