Lajme Shqip Tuesday, 05 April 2011 16:02

Tiranë – Kryeministri Sali Berisha kërkoi, sot, që të nënshkruhen marrëveshje të reja për ujërat ndërkufitare me vendet e rajonit, për të zëvendësuar marrëveshjen e nënshkruar me ish-Jugosllavinë, e cila ka humbur fuqinë.
Sipas zyrës së shtypit pranë kryeministrisë, Kryeministri Berisha priti sot në takim ministrat e Mjedisit të Maqedonisë, të Malit të Zi dhe të Kosovës, si dhe disa përfaqësues të organizatave ndërkombëtare, të cilët ndodhen në Tiranë në kuadër të bashkëpunimit me Ministrinë e Mjedisit për problemet e ujërave ndërkufitare.
Gjatë takimit, Kryeministri Berisha vuri në dukje vlerësimin e qeverisë shqiptare për pasuritë ujore të Shqipërisë, për florën dhe faunën e veçantë që karakterizon liqenet e Ohrit, Prespës, Shkodrës dhe basenet ujore të vendit.
Por përveç përdorimit racional të burimeve ujore, sipas Kryeministrit, janë vënë re edhe një sërë problemesh që kanë të bëjnë me rrezikshmërinë e përmbytjeve që paraqesin disa lumenj e sidomos Drini në rastin e reshjeve të shumta që bien jo vetëm në territorin shqiptar, por edhe në Maqedoni, Kosovë dhe Mal të Zi, ashtu siç ndodhi edhe gjatë dimrit që shkoi.
Për këtë problem, qeveria shqiptare ka projektuar një sërë masash dhe po punon për realizimin e tyre, për të krijuar një situatë sa më të stabilizuar në mënyrë të veçantë në basenin e Drinit dhe për të shmangur përsëritjen e përmbytjeve. 
Kryeministri Berisha u shpreh i gatshëm që qeveria të mbështesë një projekt të veçantë për basenin e lumit Drin nga Banka Botërore, GEF-I dhe vendet respektive të rajonit për t’i dhënë zgjidhje përfundimtare problemeve komplekse që lidhen me këtë basen.
“Qeveria ka parashikuar ndërtimin e argjinaturës në lumin Buna, ndërtimin e bypasit të Shkodrës, si dhe përmirësimin e mëtejshëm të rrjetit të kullimit në gjithë zonën e Nënshkodrës. Gjithashtu po punohet edhe për ndërtimin e hidrocentalit të Skavicës, si dhe është nënshkruar marrëveshja me Malin e Zi për thellimin e Bunës”, tha Berisha.
Kryeministri Berisha mirëpriti interesimin e ministrave të rajonit, të cilët shprehen vullnetin e qeverive të tyre për të forcuar me tej bashkëpunimin dy dhe shumëpalësh, si dhe theksoi se Shqipëria do të jetë e gatshme për të zgjeruar bashkëpunimin me vendet kufitare në rajon dhe me organizatat ndërkombëtare.
Gjithashtu, Kryeministri theksoi nevojën e veprimeve dhe iniciativave të përbashkëta për të shpejtuar gjetjen e zgjidhjeve me interes të përbashkët dhe ndërmarrjen e aksioneve konkrete.