Lajme Shqip Wednesday, 07 September 2011 15:25

Tiranë – “Lufta kundër korrupsionit është një betejë e përhershme”, tha sot kryeministri Sali Berisha, gjatë konferencës rajonale që kishte si temë luftën kundër korrupsionit, e që u organizua nga Qendra Evropiane George C. Marshall për Studime në fushën e Mbrojtjes në Tiranë.

Kryeministri Berisha tha se lufta kundër korrupsionit është më e vështira, sepse pavarësisht arritjeve, rreziku është gjithnjë i pranishëm.

“Nuk ka reformë që mund të ketë sukses, nëse nuk luftohet më parë korrupsioni. Është një duel i përjetshëm mes zbatimit të ligjit dhe këtij fenomeni”, tha Berisha.

“Korrupsioni është real, një sëmundje e tmerrshme, është një kancer social dhe ai mund të luftohet vetëm nëse lufton në mënyrë permanente kundër tij, tha Berisha.

Kreu i qeverisë, Sali Berisha vuri në dukje se, për qeverinë e tij është parësore ndërmarrja e të gjitha reformave për të luftuar korrupsionin në çdo fushë.  “Qeveria ime po bën përpjekje shumë të mëdha për të luftuar korrupsionin, tha Kryeministri Berisha, duke përmendur si arritje në këtë luftë projektet e ndërmarra për taksat elektronike, biznesin elektronik dhe prokurimet elektronike.

Duke folur për luften kundër korrupsionit, kryeministri Berisha u shpreh se, “ka disa parime bazë, të cilat padyshim janë të dobishme. Sipas tij, është thelbësore çdo reformë që sjell transparencë, pasi antidoti më i mirë për korrupsionin është transparenca.

“Ne  legjislaturën e kemi të mirë, vendi ynë ka përmbushur shumicën e detyrimeve dhe të rekomandimeve që vijnë nga Kombet e Bashkuara, nga konventat e antikorrupsionit, por implementimi i tyre është i rëndësishëm dhe kjo është thelbësore”, tha Kryeministri.

Kryeministri Berisha theksoi me tej se, “lufta kundër korrupsionin është  një betejë e vështirë, por është një luftë e cila mund të fitohet, pasi është një betejë për të cilën ia vlen të ndërmerren të gjitha reformat, është jetësore për suksesin e reformave në të gjitha fushat”.