Lajme Shqip Friday, 15 July 2011 12:05

Tiranë – Kryeministri Sali Berisha deklaroi sot se “ligji për arsimin e lartë duhet të sigurojë lirinë akademike dhe autonominë universitare”, ndërsa shprehu angazhimin e qeverisë për përmirësimin e cilësisë së arsimit të lartë, si në sektorin publik dhe atë privat në vend.

Gjatë konferencës për prezantimin e renditjes së Institucioneve të Arsimit të Lartë në vend, Berisha vuri në dukje se, për të ardhmen e sistemit tonë universitar dhe të ardhmen e këtij vendi, nuk ka asgjë më të rëndësishme se sa gara e cilësisë në Universitetet tona.

“Kjo është gara më e vështirë e cila kërkon potenciale të reja, garë e cila është vendimtare në realizmin e projektit, Shqipëria vend i zhvilluar”, theksoi shefi i qeverisë

Ai e cilësoi kusht vendimtar për lirinë akademike, cilësinë në universitete.

Duke siguruar se qeveria do të bëjë përpjekjet më të mëdha në mbështetje të arsimit të lartë, Berisha tha se “cilësia, si kushtin më vendimtar ka lirinë akademike”. “Liria akademike do të thotë mosndërhyrja e qeverisë në universitete”, tha Berisha, duke garantuar se qeveria është e vendosur të konsolidojë qëndrimin më të hapur ndaj universiteteve.

Më tej, kreu i ekzekutivit nënvizoi se liria akademike dhe autonomia universitare kanë si kusht përgjegjshmërinë.

“Në këtë rrugëtim, duhet të gjejmë të gjitha modelet, instrumentat dhe mjetet që të ecim me sukses dhe ta ngjisim këtë vend, në grupin e atyre vendeve që meriton të jetë’, deklaroi Berisha.

Në përfundim, kryeministri shprehu angazhimin e qeverisë për të mbështetur veprimtaritë e arsimit të lartë, për të respektuar lirinë akademike, autonominë e universiteteve si të dhe siguroi mbështetje për sektorin publik dhe privat të arsimit.