Lajme Shqip Wednesday, 15 February 2012 17:30

Tiranë – “Ligji i ri për arsimin parauniversitar miratohet sipas parametrave më të mira të vendeve anëtare të OECD-së dhe BE-së pasi Shqipëria ka si mision integrimin në Bashkimin Euroipan dhe shndërrimin në vend të zhvilluar”, u shpreh sot Kryeministri Sali Berisha, në mbledhjen e qeverisë teksa prezantoi projekt-ligjin e ri për arsimin parauniversitar.

Sipas Kryeministrit, “ligji vjen pas përpjekjeve të mëdha për ta shndërruar arsimin para universitar, pas përmbysjes së sistemit komunist dhe kolapsit që pësoi sistemi i shkollave të mesme të arsimit bujqësor, i cili ishte 8-9 herë më i madh sesa ai i shkollave të përgjithshme”.

“Në vitin 2005, në ata që mbaronin shkollën 9 vjeçare, vetëm 67% e tyre ndiqnin shkollën e mesme. Vitet e arsimimit për frymë ranë nga 11.3 në 9.2. Pra pati një rënie me pasoja jo të vogla, një braktisje masive të arsimit, veçanërisht nga arsimtarët për shkak të rrogave simbolike”, u shpreh Berisha.

Sipas tij, gjatë këtyre viteve, për të arritur dhe konsoliduar sistemin e arsimit parauniversitar janë bërë përpjekje të mëdha.

“Kemi shpallur dhe vazhdojmë të shpallim mësuesin në epiqendër të përpjekjeve tona. Rrogat e tyre janë rritur sa në asnjë vend tjetër në përqindje. Shqipëria është ndër vendet e pakta që ka rrogat e mësuesve mbi mesataren në shkallaren e rrogave. Nga 2006 deri më sot rrogat janë rritur 120% dhe kjo ka bërë që nga arsimi të mos largohen dhe ka ngjallur konkurrencën dhe ka konsoliduar trupën akademike”, theksoi Berisha.

“Ky ligj vendos në themel të arsimit parauniversitar standardet më të mira të shkollimit. Ky ligj do  të bazojë këtë arsim në dy disiplinat më kryesor, në gjuhën amëtare, leximin dhe matematikën. Ky ligj krijon të gjithë prerogativat për një zgjerim më të shpejtë të arsimit parashkollor, edhe ky arsim i një rëndësie të veçantë për formimin e nxënësve. Ligji parashikon trajtimin, inkurajimin e talenteve. Ato janë një energji e veçantë ndaj së cilës shoqëria, sistemi arsimor, shteti duhet të ketë kujdes të veçantë”, tha Kryeministri.

Berisha shtoi se ligji i arsimit parauniversitar parashikon standardet për përgatitjen  mësuesve. “Do të bëjmë gjithçka për ta shndërruar mësuesinë në profesionin më serioz të shoqërisë. Për një familje dhe një shoqëri s’ka asgjë më serioze se shkollimi i fëmijëve të tyre. Kjo realizohet vetëm duke u përqendruar tek përgatitja, aftësimi, kualifikimi i vazhdueshëm i mësuesve”.

Sipas Kryeministrit, “ligji rrit në mënyrë të ndjeshme autonominë e shkollave tona. Jep një pozicion të ri për rolin e prindërve, nxënësve për projektin tonë arsimor.

Kryeministri Berisha theksoi se ligji i jep rëndësi mësimit të gjuhëve të huaja në vend. Kreu i qeverisë i cilësoi shqiptarët, poliglotë, ndërsa kërkoi që kinezçja të flitet si gjuhë e dytë në vend, së bashku me spanjishten.

“Ligji i ri i arsimit parauniversitar parashikon mësimin e dy gjuhëve të huaja. Është e domosdoshme që në sistemin tonë arsimor, në përqindje të caktuara, detyrimisht të jetë gjuhë e dytë dhe mësimi i gjuhës kineze”, tha Berisha.

“Pr/ligji i kushton rëndësi të veçantë mësimit të 2 gjuhëve të huaja. Është një dimension i rëndësishëm i shkollimit të fëmijëve në Shqipëri. Shqiptarët janë poliglotë të lindur, por askush nuk kapacitetin për të folur me lehtësi çdo gjuhë se shqiptarët, qoftë anglosakson e neolatin, kinez, sllav. Pra dhe pikërisht në këtë buron dhe pasioni i tyre për gjuhët e huaja. Ky të ishte paracaktuar me ligj. Nuk duhet harruar se shqiptarët janë frankofonë, do të hapen më shumë drejt spanjishtes dhe drejt gjuhës kineze”, theksoi Kryeministri.