Lajme Shqip Wednesday, 10 August 2011 14:21

Tiranë – “Kushtetuta nuk është statut partie”, deklaroi të mërkurën Kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha, duke iu referuar kërkesës së opozitës për ndryshimin e Kushtetutës së Shqipërisë.

Gjatë mbledhjes së Këshillit të Ministrave, Berisha tha se “shqiptarët nuk kanë preokupim se si zgjidhet Presidenti me 5/6 apo me 7/5 e votave, por preokupimi kryesor i tyre janë rrugët, vizat, rrogat”.

Duke iu drejtuar opozitës shqiptare, shefi i qeverisë vuri në dukje se “nuk mund të kërkosh paketë karrigesh. Duhet që në vend që të kërkosh ndjesë për ndryshimin e një neni të Kushtetutës që zgjodhi një person apo një tjetër, të kërkosh ndjesë për qëndrimin ndaj vizave”.

Duke i garantuar qytetarët shqiptarë se do vazhdojnë të jenë në epiqendër të të gjitha përpjekjeve të maxhorancës qeverisëse, Berisha iu referua edhe fushatave opozitare për të penguar heqjen e vizave për shqiptarët.

Sipas tij, opozita lëvizte vetë më pashaporta diplomatike dhe nuk dinte se çfarë është viza dhe zhvilloi të gjitha llojet e fushatave për të penguar heqjen e vizave ndaj shqiptarëve.

“Është e thjeshtë të kërkosh dhe të shprehësh pendesë se ndryshove nenin për të zgjedhur këtë apo atë kryetar institucioni dhe të mos shprehësh pendesë që u përpoqe të pengosh çdo qytetar të këtij vendi për të takuar njerëzit e tij më të dashur, se bërë gjithçka për të mbajtur murin e shengenit ndaj rinisë shqiptare. Pendesa dhe falja duhet të fillojë nga kjo dhe jo nga karrikja e këtij apo e atij”, tha kryeministri.