Lajme Shqip Tuesday, 19 July 2011 14:12

Tiranë – Kryeministri Sali Berisha shprehu sot mbështjen e qeverisë ndaj misionit të parë paqeruajtës të policisë shqiptare në Afganistan.

Gjatë ceremonisë së përcjelljes së trajnerëve të policisë për në Afganistan, Berisha e cilësoi këtë si një moment të ri cilësor në historinë e Policisë së Shtetit.

“Sot ne përcjellim një grup prej 5 oficerësh në një detyrë jashtëzakonisht të rëndësishëme, detyrën e trajnimit të policisë afgane. Ky është misioni i parë paqëruajtës i policisë së shtetit shqiptar që përbën edhe një arritje madhore, e cila vjen si rezultat i një performance të shkëlqyer në rritje të efektivit të policisë së shtetit, në zbatim të ligjit, në mbrojtje të jetës, veprimtarisë dhe sigurisë së qytetarëve shqiptarë”, theksoi kreu i ekzekutivit.

Duke shprehur mirënjohjen dhe vlerësimin ndaj 5 efektivëve të policisë, Berisha garantoi se qeveria do të bëjë gjithçka për suksesin e plotë të veprimtarisë së tyre në Kabul, si dhe për mbështetjen në rritje të efektivit të Policisë së Shtetit në përmbushje të detyrimeve ligjore”.

Ai shprehu besimin se efektivët e policisë do të përmbushin me sukses misionin e parë të policisë shqiptare në Afganistan.

Më tej, shefi i qeverisë vlerësoi se performanca e uniformave blu është rezultat edhe i një bashkëpunimi të shkëlqyer me policitë e vendeve partnere si dhe e shkëmbimit të eksperiencave më të mira dhe vendosjes së veprimtarisë së tyre në standardet më të mira të punës së përditshme.

Kryeministri Berisha shprehu falenderime edhe ndaj policisë franceze, e cila kontribuoi në stërvitjen e efektivëve të policisë dhe qeverisë së SHBA-së dhe forcave amerikane në Afganistan, nën ombrellën e të cilave do të ushtrojnë veprimtarinë efektivat shqiptarë.