Lajme Shqip Monday, 02 April 2012 13:51

Tiranë – Maxhoranca shprehet e vendosur për të mos e shfuqizuar moratoriumin që ndalon skafet, duke rrëzuar në këtë mënyrë nismën ligjore të propozuar nga opozita.

“Grupi parlamentar i PS-së ka depozituar një pr/ligj me të cilin kërkon shfuqizimin e ligjit
nr. 5909 të vitit 2006 “për shpalljen e moratoriumit të skafeve”.

Duke shprehur respekt për nismën, që dëshmon për qëndrimin e tyre luajal ndaj parlamentit, më duhet të theksoj se kjo nismë është absolutisht e papranueshme për arsye se vënia në lëvizje e industrisë së skafeve do ishte një rikthim i fuqishëm i flukseve të trafiqeve kriminale drejt bregut tjetër të Adriatikut”, tha kryeministri Sali Berisha, gjatë mbledhjes së grupit parlamentar të PD-s.

“Kjo, vijoi kryeministri, nuk mund të ndodhë dhe do të ishte e papranueshme për luftën e Shqipërisë me zero tolerancë ndaj krimit të organizuar”.

“Kohrat e skafeve kanë marrë fund ndaj dhe duhet të shpreh keqardhjen që kjo nismë nuk mund të pranohet. Maxhoranca është e vendosur ta mbajë atë. E kuptoj që rëndom përdoret argumenti se po pengon turizmin, por unë nuk dua t’i lidh skafet me turizmin, pasi në periudhën e moratoriumit të skafeve turizmi u rrit me 10-12 herë. Ndaj të mos përdorim argumenta që nuk qëndrojnë”, tha kryeministri Berisha.