Lajme Shqip Monday, 28 November 2011 11:52

Kryeministri Berisha ka bërë homazhe gjatë ditës së sotme tek varrezat e “Dëshmorëve të Kombit”, ku ka uruar shqiptarët për Ditën e Pavarësisë, por edhe të Çlirimit.

Berisha gjatë fjalës së tij ka thënë se kjo ditë është frymëzuese për shqiptarët. Ai u ndal veçanërisht edhe tek viti që vjen, duke thënë se do të jetë më festivi për shqiptarët, pasi shënohet 100-vjetori i Pavarësisë.

“Ishin kryengritjet që bënë të pashmangshme pavarësinë e Shqipërisë. Sot ne nderojmë me respektin më të madh, themeluesit e saj: plakun e urtë, Ismail Qemali, tributë Hasan Prishtina, Bajram Curri, Isa Boletini e shumë të tjerë që i prinë luftës për pavarësi.

Sot ne nderojmë edhe ata burra, gra, djem, vajza, që në fund të shekullit që shkoi rrokën armët, luftuan për liri dhe dinjitet dhe bënë Kosovën të pavarur. Kombi përulet para Adem Jasharit dhe atyre që vendosën themelet e Kosovës së pavarur.

Dita e pavarësisë është një ditë frymëzimi për të gjithë shqiptarët. Një ditë ku ne zotohemi për të ardhmen.

Kjo ditë shënon fillimin e vitit që vjen, 100-vjetorit të pavarësisë, vitit më të madh, pas vitit 1912. Ky vit do të jetë një nga më festivët në historinë tonë kombëtare. Ky vit do të kthejë veprën dhe legjendën e përpjekjeve shqiptare, nga Lidhja e Prizrenit, deri në ditët e sotme.

Sot festojmë një datë tjerër të rëndësishme, çlirimin e Shqipërisë. Ditë që do të mbetet në historinë tonë.

Lufta nacional çlirimtare përbën një nga faqet më të ndritura të historisë sonë. Ndaj, nder të madh për të gjitha ata që luftuan dhe ranë për çlirimin dhe pavarësinë e Shqipërisë. Zoti e bekoftë Shqipërinë dhe flamurin e saj krenar”, ka thënë Berisha gjatë fjalës së tij.