Lajme Shqip Tuesday, 20 March 2012 14:30

Budapest -Kryeministri Berisha, i cili ndodhet në Hungari për një vizitë zyrtare treditore, u prit sot në një takim nga Kryetari i Parlamentit të Hungarisë, László Kövér. Kryetari i Parlamentit i rikonfirmoi Kryeministrit Berisha mbështetjen e plotë të Hungarisë për integrimin e Shqipërisë në BE.   

Kryetari i Parlamentit të Hungarisë, zoti László Kövér, vlerësoi bashkëpunimin midis të dy parlamenteve, i cili gjatë kësaj periudhe është intensifikuar ndjeshëm, duke u ndalur ne projektin e bashkëpunimit ndërparlamentar.

Kryeministri Berisha vlerësoi lart kontributin që parlamentet e të dy vendeve japin në marrëdhëniet midis të dy vendeve, duke e cilësuar rolin e tyre si të pazëvendësueshëm.

Kryeministri Berisha ritheksoi vullnetin e palëkundur të qeverisë për të ecur përpara me projektin madhor kombëtar të shqiptareve, integrimit në BE.

“Në këtë kontekst, si dhe pasi pikëpamja e liderit të opozitës për të bllokuar u provua e gabuar nga vota e shqiptarëve”, u shpreh kryeministri Berisha, “qeveria shqiptare është e angazhuar në plotësimin e të gjithë standardeve për të ecur përpara me shpejtësi me hapat e mëtejshëm të këtij procesi, të cilin e konsiderojmë si një proces tërësisht të bazuar në meritë”.

Kryetari i Parlamentit, Kövér, duke u ndalur ne situatën politike në Shqipëri, theksoi se shpresonte që opozita në Shqipëri te mos i rikthehet më rrugës së gabuar të bojkotit, por të kontribuojë përmes pjesëmarrjes në institucionet demokratike, në proceset e rëndësishme në të cilat po ecën Shqipëria si ai i integrimit ne BE. Kövér shprehu vlerësimin dhe përgëzimet e veçanta për faktin qe Shqipëria është ndër vendet e pakta evropiane që nuk përjetoi krizë në kuadër të krizës globale ekonomiko- financiare. (LajmeShqip.com)