Lajme Shqip Friday, 19 August 2011 12:38

Tiranë – Kryeministri Sali Berisha zhvilloi një takim me Presidenten e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, në rezidencën qeveritare në Vlorë, ku ajo po kalon disa ditë pushimesh.

Gjatë takimit kryeministri Berisha vlerësoi rolin që Presidentja Jahjaga po luan në rritjen dhe konsolidimin e Republikës së Kosovës si faktor paqeje dhe stabiliteti në Ballkan. 
Kryeministri theksoi se progresi i gjithanshëm i Kosovës, funksionimi i shtetit ligjor dhe institucional ka bërë që Kosova gjithnjë e më shumë të shndërrohet në një faktor të rëndësishëm bashkëpunimi, mirëkuptimi e integrimi rajonal. Gjithashtu, Berisha vlerësoi vendosmërinë e autoriteteve të qeverisë së Kosovës për zbatimin e ligjit dhe të rendit kushtetues në të gjithë territorin e saj.  
Presidentja Jahjaga e falenderoi kryeministrin Berisha për gjithë mbështetjen që i jep Republikës së Kosovës. 
Në këtë takim u diskutua gjerësisht mbi bashkëpunimin politik dhe në të gjithë fushat midis Shqipërisë dhe Kosovës, për përpjekjen e përbashkët në njohjen e mëtejshme dhe konsolidimin e pozicionit ndërkombëtar të Republikës së Kosovës.